Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan do të zhvillojnë takimin e tyre të parë dypalësh në qershor, bëjnë të ditur nga Shtëpia e Bardhë, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi do të zhvillohet në margjinat e takimit të liderëve të NATO-s më 14 qershor në Bruksel dhe do të përdoret “për të diskutuar gamën e plotë të çështjeve dypalëshe dhe rajonale”, tha Shtëpia e Bardhë pasi dy presidentët zhvilluan një bisedë telefonike.
Gjatë bisedës, Biden përcolli “interesin e tij për një marrëdhënie dypalëshe konstruktive me fusha të zgjeruara bashkëpunimi dhe menaxhim efektiv të mosmarrëveshjeve”, thonë nga Shtëpia e Bardhë.
Kjo ishte biseda e parë telefonike midis Biden-it dhe Erdoğan-it që kur presidenti amerikan mori detyrën në muajin janar.