“Jemi në pritje të një vendkalimi kufitar në Bllacë”, kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në intervistë për RTV21 në Kosovë.
Ka shtuar, se kjo do të ndihmonte dhe lehtësonte bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe qarkullimin e mallrave dhe njerëzve mes të dyja vendeve.
“Do të lehtësonte edhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave”, shtoi më tej Osmani.
Ndërkaq ka bërë të ditur, se për realizimin e kësaj, ka vullnet të madh politik dhe institucionet janë të angazhuara.
Ministri Osmani ka folur edhe për bashkëpunimin institucional të të dyja vendeve. I pyetur, se a pret që me Qeverinë aktuale në Kosovë të ketë barriera në bashkëpunim, për shkak se partia në pushtet, Vetëvendosje nuk e ka përkrahur BDI-në, Osmani u përgjigj: “Nuk mendoj se bashkëpunimi institucional duhet të varet nga dinamika e bashkëpunimit ndërpartiak”.
“Nuk mund të këtë asnjë ndikim në këtë drejtim”, u shpreh decid Osmani.