Ministria e Brendshme e Irakut tha të dielën se 82 persona humbën jetën dhe 110 u plagosën në një zjarr katastrofik që shpërtheu në një pavion të kujdesit intensiv në spitalin e Bagdatit ku ishin të shtruar pacientë në gjendje të rëndë nga koronavirusi.
Neglizhenca e autoriteteve të spitalit është fajësuar për zjarrin e së shtunës, që sipas njoftimeve fillestare u shkaktua kur një bombol oksigjeni shpërtheu në pavionin e spitalit Ibn al-Khatib. Kryeministri i Irakut shkarkoi disa zyrtarë kryesorë të spitalit disa orë pas incidentit katastrofik dhe në vazhdim edhe vetë ministrin e shëndetësisë.
Ndër të vdekurit janë të paktën 28 pacientë që ishin vendosur në respiratorë ndërsa përballeshin me simptoma të rënda të virusit, shkruajti në Twitter Ali al-Bayati, zëdhënës i Komisionit të pavarur për Të Drejtat e Njeriut. Komisioni është një strukturë gjysëm-zyrtare.
Zjarrfikësit luftuan me flakët që kishin përfshirë të gjithë katin e dytë të spitalit. Ekipet e mbrojtjes civile vazhduan shuarjen e zjarrit deri në orët e para të mëngjesit.
Ambulancat transportuan dhjetëra të plagosur. Ministria e Shëndetësisë thotë se të paktën 200 persona u shpëtuan.
Doktorët në vendngjarje ishin të rrënuar psikologjikisht nga kaosi përreth. Ata thanë se trupa të shumtë të shkrumbuar u nxorën jashtë spitalit nga ekipet e emergjencës.
Deri në mesditën e së dielës, të afërmit ende kërkonin njerëzit e tyre.
Qeveria e SHBA është në kontakt me zyrtarët irakianë dhe ka ofruar mbështetje, tha këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sullivan në një deklaratë.
Njerëzit e mbledhur jashtë spitalit duke kërkuar të afërmit
“Ju lutem, dy nga të afërmit e mi nuk gjenden… Do të vdes (nëse nuk dëgjoj prej tyre)”, shkruante një grua në mediat sociale, pas kërkimit pa sukses për anëtarët e familjes së saj. “Shpresoj të na ndihmojë dikush që të gjejmë Sadi Abdul Kareem dhe Samir Abdul Kareem; ishin të shtruar në pavionin e kujdesit intensiv”.
Zjarri ndodhi ndërsa Iraku po përballet me një valë të dytë të rrezikshme të pandemisë së koronavirusit. Rastet ditore të infektimeve janë gati 8 mijë, shifra më e lartë kjo që kur Iraku filloi të regjistrojë infektimet e reja në fillim të vitit të kaluar. Të paktën 15200 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Irak, nga një total prej 100 mijë të infektuarish.
Fillimisht, Kryeministri Mustafa al-Kadhimi shkarkoi drejtorin e përgjithshëm të Departamentit të Shëndetësisë në zonën ku ndodhet spitali. Ai gjithashtu shkarkoi drejtorin e spitalit Ibh al-Khatib dhe drejtorin e inxhinierisë dhe mirëmbajtjes, thuhet në një deklaratë për shtyp.
Pas shpërthimit të zjarrit, kryeministri al-Kadhimi mbajti një takim emergjence në shtabin e Komandës Operacionale të Bagdatit, e cila koordinon forcat irakiane të sigurisë, thuhet në një njoftim në llogarinë e tij në Twitter.
Në takim, ai tha se incidenti ndodhi për shkak të neglizhencës.
Kryeministri Mustafa al-Kadhimi
“Neglizhenca në këto çështje nuk është një gabim, por një krim për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi të gjitha palët neglizhuese”, tha ai. Ai u dha autoriteteve irakiane 24 orë kohë për të paraqitur konkluzionet e hetimit.
E dërguara e OKB-së në Irak, Jeannine Hennis-Plasschaert shprehu në një deklaratë “tronditje dhe dhimbje” për incidentin, si dhe bëri thirrje për masa më të forta mbrojtëse në spitale./VOA