Shkak rastet me COVID-19, Belgjika do të mbyllë kufijtë e saj për udhëtarët nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut

Belgjika njoftoi të martën se po mbyll kufijtë e saj për udhëtarët nga India, Afrika e Jugut dhe Brazili.

“Transporti i udhëtarëve me aeroplan, tren, anije dhe autobus, duke përfshirë tranzitin, nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut për në Belgjikë do të ndalohet”, ka thënë zyra e kryeministrit Alexander De Croo në një deklaratë.

Stafi i sektorit të transportit dhe marinarët – si dhe diplomatët, prania fizike e të cilëve në tokën belge është “thelbësore për funksionimin e duhur” të organizatave të tyre – do të lejohen në vend, vijoi deklarata.

Marketing

Qytetarët dhe banorët belg mund të udhëtojnë nga të tre vendet, por ata do të duhet të paraqiten në karantinë pas mbërritjes dhe të testohen dy herë në javë.

Mosrespektimi i të dy masave do të rezultojë në një gjobë prej 250 eurosh.

Dhe siç bëhet e ditur më tej, kërkesa të ngjashme tashmë ekzistojnë për udhëtarët që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar.

Ministria e brendshme do të japë detaje të mëtejshme rreth ndalimit të udhëtimit së shpejti, tha zyra e kryeministrit.

Masa është e ngjashme me atë të vendosur në Francë rreth dy javë më parë dhe synon të frenojë përhapjen e varianteve COVID-19 të cilat u zbuluan për herë të parë në këto vende.

Që nga fillimi i pandemisë, Belgjika ka regjistruar më shumë se 24,000 vdekje dhe 976,000 infeksione të konfirmuara.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, Belgjika ka nivelin e dhjetë më të lartë të vdekshmërisë në krahasim me popullsinë në botë.