Voa: Blinken paralajmëron Turqinë: Jo blerje armësh nga Rusia

Sekretari i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të mërkurën Turqinë dhe të gjithë aleatët e Shteteve të Bashkuara që të mos blejnë armë të tjera ruse, duke thënë se kjo mund të sjellë më shumë sanksione.

Marrëdhëniet SHBA-Turqi janë tensionuar për çështje që variojnë nga blerja nga Turqia e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400, për të cilat Ankaraja u vu në shënjestër të sanksioneve amerikane, tek mosmarrëveshjet për politikën ndaj Sirisë, të drejtat e njeriut dhe një padi gjyqësore amerikane ndaj Halkbank, ku shteti turk ka shumicën e aksioneve.

“Është gjithashtu shumë e rëndësishme në të ardhmen që Turqia, dhe kjo vlen edhe për të gjithë aleatët e SHBA, të shmangin blerjet e armatimit rus, duke përfshirë edhe S-400 të tjera”, tha sekretari Blinken gjatë një konference virtuale në Qendrën e Shtypit të Huaj në Uashington.

Marketing

“E përsëris, çdo transaksion i rëndësishëm me entitetet ruse të mbrojtjes mund t’i nënshtrohet ligjit CAATSA, dhe kjo përveç sanksioneve që tashmë janë vendosur,” tha ai, duke iu referuar Aktit të Kundërveprimit ndaj Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve, i cili është krijuar për të shkurajuar vendet e ndryshme që të mos blejnë pajisje ushtarake nga rivali i NATO-s.

Zoti Blinken tha gjithashtu se duke pasur parasysh pikëpamjet gjerësisht të njohura të Presidentit Joe Biden, deklarata e tij e së shtunës se masakrat kundër armenëve në Perandorinë Osmane në vitin 1915 janë gjenocid, nuk ishte aspak e papritur.

Zëdhënësi i Presidentit të Turqisë tha të dielën se deklarata e zotit Biden ishte “thjesht skandaloze” dhe se Turqia do të kundër përgjigjej gjatë muajve të ardhshëm.