Kina lansoi të enjten modulin kryesor të stacionit të saj të hapësirës, raportoi media shtetëore.
Moduli pa pilot, Tianhe, i cili përmban pajisje dhe hapësirë për jetesë për tre astronautë, u nis me një raketë transportuese nga qendra hapësinore Uençang, në ishullin Hainan.
Pekini planifikon të bëjë edhe 11 nisje të tjera me module, përpara se të përfundojë stacionin hapësinor Tiangong, vitin e ardhshëm.
Stacioni do të ketë një jetëgjatësi prej së paku 10 vjetësh.
I vetmi stacion hapësinor në orbitë aktualisht është Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës – një bashkëpunim i Rusisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Evropës dhe Japonisë. Kinës i është bllokuar pjesëmarrja në të.
Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës pritet të pensionohet në vitin 2024.
Kina ka intensifikuar programin e saj hapësinor në vitet e fundit me vizitat në Hënë, nisjen e një sonde pa pilot në Mars dhe tani ndërtimin e stacionit të saj hapësinor./REL