Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave, Arjanit Hoxha ka njoftuar opinionin për ligjin për shitjen e tokës shtetërore bujqësore.
Ja postimi i Ministrit Hoxha:
Projektligji për shitjen e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, i cili është përgatitur nga ana e ekspertëve përmes projektit të financuar nga FAO, sot u publikua në web faqen e Regjistrit Elektronik të Vetëm Kombëtar të Rregulloreve (ENER).
Për transparencë maksimale, projektligji do të jetë në dispozicion të publikut në njëzet ditët e ardhshme.
Ky Projektligj përcakton kriteret dhe mënyrën e shitjes së tokës bujqësore shtetërore. Por, para se të hyjnë në procedurën e adoptimit, si hap i parë dhe si detyrim procedural është që të lihet në dispozicion për të gjitha palët e interesuara dhe për publikun e gjerë.
Prandaj, ju ftojmë që në njëzet ditët e ardhshme, të përfshiheni në mënyrë aktive me sugjerime, komente dhe me vërejtjet tuaja. Ne ju bëjmë thirrje të bashkëpunoni dhe të shkëmbeni propozime konstruktive, që të krijojmë së bashku ligj në mënyrë më transparente, i cili do të përcaktojë procedurën e shitjes së tokës bujqësore shtetërore.
Jemi të bindur që me qasje gjithëpërfshirëse, debat të gjerë dhe procedurë transparente do të kontribuojmë në alokimin e të paktën 250 milion eurove por në të njëjtën kohë do të ketë më shumë investime, të cilat përmes komponentit të zhvillimit do të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit.