Nga: Laura Smaqi
Të flasësh për krijimtarinë e Prustit (Marcel Proust), lindur më 1871 dhe larguar nga jeta më 1922, do të thotë në thelb të flasësh kryesisht për një tekst të vetëm, edhe pse me përmasa monumentale. Në një kuptim ai mund të konsiderohet autor i një vepre të vetme, romanit “Në kërkim të kohës së humbur”, të shkruar dhe të rishkruar në fazën e pjekur të jetës së tij (pak a shumë në moshën mes të 30-ave dhe të 50-ave), dhe çuar gradualisht në formën përfundimtare përmes përshtatjeve të herëpashershme. Romani u botua mes viteve 1913-1927, i ndarë në shtatë vëllime, me rreth tre mijë faqe të ngjeshura.
Vepra është historia e një vokacioni, e një prirjeje artistike, të zbuluar e të maturuar ngadalë. Romani mbyllet në momentin që protagonisti-narrator vendos të nisë e të shkruajë historinë e prirjes së tij, vendos të shkruajë veprën që jemi duke e lexuar në 7 vëllimet e saj. Që në faqet e para, gjithçka organizohet sipas skemave rrethore: vendet, grupet sociale, vetë struktura tematike e librit, gjithçka i përgjigjet këtij modeli. Çdo objekt e çdo vend rigjendet, e gjithçka përmbyllet. Kthimi final në pikën e nisjes, është treguesi më i dukshëm i kësaj logjike rrethore që drejton gjithë kërkimin. Megjithë karakterin kompleks analitik, që e mbush me plot personazhe, objekte e vende, që karakterizohen me mjaft hollësi e precizion, “Kërkimi” është libri i një uni që rikthehet në mënyrë konstante nga objektet e botës, duke u mbyllur në qendrën e tij, në rrethin e jetës së shpirtit. Me dëshirën për të shkruar, me përpjekjen për të gjetur mënyrën se si duhet ta shprehë prirjen e tij, narratori – djalosh që aspiron të bëhet artist, e ndjen veten keq sepse nuk arrin të shkruajë, thënë më qartë nuk arrin të gjejë atë që duhet të shkruajë, të gjejë realitetin që është i denjë të fiksohet me fjalë dhe në formën letrare. Vetëdijesimi gradual i zbulon kuptimin e dhimbshëm se koha e kaluar thjesht duke jetuar, duke parë – pa parë në të vërtetë, duke ndjerë – pa arritur që përshtypjet e ndjenjat të marrin vlerë, është një kohë e humbur. Ndërgjegjësimi për këtë të vërtetë e bën narratorin që përmes artit, këtë kohë të humbur ta kthejë në kohë të rigjetur. Ajo “çfarë fshihet pas gjërave”, realiteti i dytë, më i thellë, më i qëndrueshëm e më i vërtetë sesa ai i paraqitur përmes pamjes dhe shqisave në dukjen e parë të sendeve, e vërteta e fshehur dhe autentike që i zbulohet përmes një iluminacioni, të përftuar jashtë çdo lloj sforcoje të vullnetit apo vëmendjes do të jetë në thelb të veprës së tij.
Që në kontaktin e parë me veprën mund të dallosh teknikat karakteristike të Prustit për t’i lidhur mes tyre faktet dhe ngjarjet e kohëve të ndryshme përgjatë një linje kronologjike të pandërprerë. Kur tregon për një pasdite, për një mbrëmje apo një ditë, ai e përdor çastin e përzgjedhur si pikënisje për të përshkruar ngjarjet e mëparshme apo të mëvonshme, ashtu sikurse personazhi mbart, në çastin kur shfaqet, përmasat e asaj që ka qenë, që është për të tjerët dhe të asaj që do të bëhet. Organizimi i ngjarjeve lidhet me procedimin, sipas të cilit njësia kohore që formon dita ose mbrëmja mund të ngarkohet me gjithfarë ngjarjesh të shkuara ose të ardhme. Njëherësh me këtë aspekt realizohet dhe mbivendosja e njëhershme e kohëve: e ditës, stinës ndonjëherë dhe e vitit. Një e diel në Kombrei mban në vetvete ditën dhe stinën që ndërron. Dita dhe stina kanë ecur paralelisht, në orën 9 të mëngjesit jemi në mars, në orën 5 të pasdites ka hyrë maji. Tek analogjia mes ditës, stinës dhe vitit, Prusti ka gjetur formën më të përmbledhur të rrëfimit.
Nuk mund të mohohet se struktura e kohës është thelbësore në veprën e Prustit; megjithatë ajo mund të shpjegohet vetëm në sajë të madhësisë së hapësirës: domethënë brenda kufijve të një bote reale që koha psikike zgjeron dhe transformon, në një gjeografi të vetëdijes, të cilën shkrimi e “përkthen”. Pranë kohës së rigjetur ka një hapësirë të rigjetur. Ose më saktësisht, ka një hapësirë më në fund të gjetur, një hapësirë që gjendet dhe zbulohet për shkak të lëvizjes të çliruar përmes kujtimit. Universi i Kërkimit shpaloset pothuajse në një akumulim fantazmagorik të vendeve, qyteteve, peizazheve, dhomave, rrugëve, pamjeve, përshkrime shpesh të përsëritura në disa vende të romanit, por të dhëna nga kënde të ndryshme dhe në situata të reja narrative. Ato tregojnë sa pak kuptojmë nga bota që na rrethon, e cila duket se vërtitet në një vazhdimësi të pandërprerë të ndryshimeve dhe humbjeve të kuptimit.
“Kopshte në një filxhan çaji” ishte titulli që kish menduar Prusti për pjesën e parë të veprës së tij në një fazë më të hershme, kur e shihte veprën të organizuar në tri pjesë. Arsyeja e kësaj ideje ishte roli i rëndësishëm që për të kishte si procesi i funksionimit të kujtesës ndjesore e të pavullnetshme, ashtu edhe mënyra poetike e realizimit apo përshkrimit të këtij procesi. Mrekullia që ndodh papritur, kur copëza e madlenës i prek qiellzën, bën të lindin një varg procesesh, të cilat e bëjnë narratorin jo thjesht të kujtojë, por të ringjallë së pari ndjesinë kur gjatë një vizite te teto Leonia kish provuar madlenën e njomur në çajin e saj të blirit, më pas dhoma e saj, shtëpia, sheshi, udhët, lulet e kopshtit të tij, të parkut të zotit Suan, nimfat e Vivonës, njerëzit e fshatit, shtëpitë, kisha, i tërë Kombrei me rrethinat e tij, gjithçka që merr formë dhe fortësi, del me qytet e me kopshte nga filxhani i çajit.
Imazhi, që, fillimisht, ndonëse narratori përpiqet, nuk arrin t’i përvijohet, kthehet në një përjetim të fortë që bashkon në një kohën dhe hapësirën. Ajo çfarë del nga filxhani i çajit, në të cilin njomet madlena, nuk është vetëm fëmijëria e rigjetur e heroit, por një hapësirë e tërë e fshehur në gjeografinë e vetëdijes, por e shfaqur së fundi me një tërësi topografike solide që nuk zhvendoset dhe fshihet më nga vetëdija.
Vepra e Prustit u kthye në një model frymëzues në letërsinë e mëpasme, jo vetëm franceze, por edhe angleze e amerikane e gradualisht dhe më gjerë. Roli e ndikimi i teknikave të tij narrative, i eksplorimeve të kohës, hapësirës e sidomos të thellësive të unit njerëzor është vënë në dukje në studime të shumta. Edhe autorët e letërsisë shqipe nuk mund t’i shpëtonin tërheqjes që romani ushtronte ndaj hetimit të vetëdijes dhe pavetëdijes, ndaj eksplorimit të thellësive, kujtesës dhe kohës. Do të ishte thuajse e pamundur që një prej prozatorëve më në zë në letërsinë shqipe të periudhës mes dy luftërave, i quajtur si themeluesi i novelës moderne shqipe, i cili kishte studiuar jashtë Shqipërisë dhe e kish lexuar Prustin në moshë të re, i mrekulluar, siç e dëshmon vetë, do të ishte thuajse e pamundur, pra, që Ernest Koliqi të mos ndikohej e të mos eksperimentonte nën shembullin e tij.
Tingujt e pianofortes luajnë një rol të ngjashëm te Koliqi, luajnë rolin e një çelësi që hap zona të panjohura të vetvetes apo thyejnë guaskën, pas së cilës shfaqen peizazhe shpirtërore. Tek “Andërr e nji mbasditje vere”, magjia e notave të Debysisë krijon vegime e ngjall zëra në dhomën ku drita e blertë krijon dridhje si uji i kulluar i detit. Tek “Dram i vogël”, pas tingujve dhoma zgjerohet dhe djaloshi sheh me sytë e mendjes Shkodrën me minare e kumbonare të çohet në ajër e të vendoset në një breg deti. “Pasqyra e vjetër shkodrane” përshkohet si prej një vetëtime dhe na nxjerr parasysh një botë të tërë të shkuar. Në mënyrë të veçantë, {Xhami i dritores s’ime” paraqet momentin kur te rrëfimtari, nis, zhvillohet dhe realizohet një proces i tërë për të zbuluar të vërtetën që fshehin sendet. Ashtu si në romanin e Prustit, në të gjithë tregimet e mësipërme mrekullia, epifania, realiteti i fshehur papritur zbulohet me gjithë energjinë dhe fuqinë ndryshuese që bart në vetvete.
Pa dashur të zgjatem më tej me shembuj të kësaj natyre, duke iu rikthyer përkujtimit të Prustit, do të uroja që vepra e tij të vinte përherë e më e plotë në shqip, në mënyrë që lexuesi shqiptar, duke iu bashkuar rrugëtimit shpirtëror të narratorit brenda universit të Kërkimit, të rigjente veten në dimensione të panjohura përmes mrekullive të leximit.
BURIMI: www.arsalbanica.mk