Me një projekt në efikasitetin energjetik dhe një në arsim, Banka Botërore do të investojë 46.5 milionë euro në Maqedoninë e Veriut. Me projektin në pjesën e efikasitetit energjettik në sektorin publik do të ulet shfrytëzimi i energjisë dhe do të investohet në energji të qëndrueshme, ndërsa me projektin në arsim pritet të financohet reforma e paralajmëruar në arsimin fillor.
“Bëhet fjalë për projektin për efikasitet energjetik në sektorin publik me vlerë prej 25 milionë euro dhe projektin për avancimin e arsimit fillor me vlerë prej 21.5 milionë euro, përkatësisht vlera e përgjithshme e këtyre dy projekteve është 46.5 milionë euro.”,- tha ministri i financave, Fatmir Besimi.
“Jemi të vetëdijshëm se vetëm me masa efektive në efikasitetin energjetik, Maqedonia e Veriut mund t’i rrisë kursimet në konsumin e energjisë primare dhe finale. Investimet duhet të rriten ndjeshëm për të mundësuar trasicionin e sektorit energjetik në vend.”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Projekti që ka të bëjë me përmirësimin e arsimit fillor vlen 21.5 milionë euro me mbështetje direkte nga Banka Botërore. Por, këtu kemi mbështetje materiale dhe jomateriale, mendohet në ekspertizë në atë se si të arrijmë në arsim i cili në qendër do të ketë nxënësit, por do të përmirësojë statusin edhe të mësimdhënësve.”,- deklaroi ministrja e arsimit, Mila Carovska.
Drejtori i BB theksoi se Maqedonia e Veriut është në gjysmën e mesatares në BE për efikasitet energjetik, ndërsa potencoi se edhe pse ka përmirësim të gjithëpërfshirës në arsim, sërish ka nevojë për cilësi.
“Sipas indeksit të BB për kapital njerëzor për vitin 2020, fëmijët e lindur sot në Maqedoninë e Veriut do të ishin 56 për qind produktivë më shumë sesa kanë mundur të jenë, por nëse gëzojnë arsimim të plotë por dhe shëndet të plotë. Gjatë dekadës së fundit në Maqedoninë e Veriut është investuar 106 milionë euro në efikasitet energjetik, megjithatë tani janë të nevojshme edhe 320 milionë euro shtesë për t’u arritur qëllimet e efikasitet energjetik.”,- theksoi drejtori i Bankës Botërore.
Me ndihmën e BB do të investohet edhe në përmirësimin e objekteve të institucioneve shëndetësore, në efikasitetit energjetik dhe në pjesën e infrastrukturës.