Nxënësit e shkollave të mesme kërkojnë përgjegjësit për skandalin me pagesën e dëftesave në katër shkolla të mesme në Shkup, Tetovë dhe Prilep. Ata i bënë thirrje inspektoratit arsimor, të publikojë raportet nga inspektimet e kryera në shkollat e mesme që kërkonin pagesa për një shërbim që sipas Kushtetutës dhe ligjeve, është falas. Nxënësit janë ankuar se u janë kërkuar para nga mësimdhënësit në Gjimnazin Zef Lush Marku në Shkup, Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe atë Ekonomike në Tetovë dhe në shkollën e mesme Mirce Acev në Prilep, e shumat varionin nga 30 -150 denarë.
“Me 14 qershor, komunikuam me inspektoratin dhe kërkuam nga ky institucion që të na dërgojë raportet e lartëpërmendura. Për fat të keq deri më sot ende nuk i kemi marrë të njejtat. Sot, ju drejtohemi shkollave drejtpërsëdrejti. Ne e dimë kush jemi, ju vetë e dini kush jeni, ktheni paratë sepsekjo është mënyra e vetme për të zgjidhur këtë problem. Është për të ardhur keq që të tarifosh për dëftesa në përgjithsi, e sidomos në një vit shkollor të zhvilluar online dhe me shumë sfida.”, tha Sara Aliu nga UNSHM.
Unioni gjithashtu kërkoi përgjigje se përse nuk po ndahen dëftesat për mbarimin e shkollimit. Thonë se situata me pandeminë është qetësuar dhe nxënësve u duhej mundësuar një manifestim rasti për të marrë dëftesat e tyre.
“Pas një viti shkollor me shumë pak mundësi për socialzim këto gjenerata nxënësish kanë edhe një kënaqësi më pak, e ajo është, marrja e susksesit të vitit shkollorë nëpërmjet dëftesës si një proces tradicionalisht gazmor. Byroja për Zhvillim të Arsimit këtë vit nuk arriti t’i sigurojë dëftesat për të gjithë nxënëesit e shkollave të mesme në nivel të shtetit.”, tha Aliu.
Aktualisht dëftesat u ndahen vetëm nxënësve të klasave të nënta dhe maturantëve, meqë pa to nuk regjistrohen dot më tej. Për të tjerët, dëftesat do të jepen deri më 31 gusht, por data e saktë do të njoftohet në mënyrë shtesë. Ndarja e dëftesave ishte planifikuar fillimisht për 26 qershor. Por byroja e Zhvillimit të Arsimit informoi se për shkak të pandmisë, ky afat do të shtuhet. Nga SASHK thanë ditë më parë se arsyeja për shtyrjen, është dokumentacioni i tenderit.