Ferati: Më plagosën derisa e ndihmoja njërin nga të plagosurit, ishte një skenar i trishtë

Kur policia kishte filluar ta shpërndante turmën e tubuar para Komunës së Gostivarit më 9 korrik të vitit 1997, Kenan Ferati kishte qenë në mesin e protestuesve. Atëbotë Gjykata Kushtetuese kishte ndaluar përdorimin zyrtar të flamurit shqiptar para objektit të Komunës dhe forca të shumta policore kishin zbarkuar në qytet ta zbatojnë vendimin. Një numër i madh i qytetarëve ishin mbledhur që të mbrojnë të drejtën e përdorimit të këtij simboli etnik. Kjo rezistencë kishte bërë që forcat policore të gjuajnë në drejtim të qytetarëve, duke vrarë tre dhe plagosur disa prej tyre.

Marketing

Një prej të plagosurve ishte edhe Ferati, atë kohë një i ri praktikant në një spital privat. Plumbin në këmbë e kishte marrë gjatë tentimit për të shpëtuar jetën e viktimës së parë. E gjithë skena ishte xhiruar nga kameramanët lokalë. Aty shihet Ferati i ri duke i ardhur i pari në ndihë të plagosurit. Më pas vrapojnë edhe njerëz tjerë për të ndihmuar Feratin në misionin human – të shpëtojë jetën e të plagosurit. Gjatë bartjes së të plagosurit, një plumb e kap edhe Feartin. Në atë moment ai nuk ndjen asnjë dhimbje. Plumbin ende e ka në këmbë pasi nuk ka arritur ta mënjanojë menjëherë pas plagosjes.


(Në skenën nga minuta e 5:25 shihet Ferati me bluzë të bardhë teksa ndihmon një të plagosur)

Ferati sot, 14 vite më pas, e kujton këtë ngjarje si një profesionist dhe intelektual i realizuar. Ai është themelues dhe i angazhuar si doktor stomatolog në ordinancën e njohur private “Apolon Tetovë”. Si doktor shkencash dhe njëherësh edhe doktor specialist, mban mësim praktik dhe teorik në Universitetin e Tetovës që nga viti 2010. Është viziting-profesor edhe në disa universitete rajonale dhe evropiane. Ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare shkencore dhe profesionalë si autor dhe koautor i punimeve shkencore. Përveç se është kryetar i Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare të Maqedonisë që nga viti 2017, Ferati është anëtar në shumë shoqata dhe asociacione mjekësore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në një intervistë për KDP, Ferati rikujton ngjarjet e Gostivarit si një aktor i drejtpërdrejtë. Megjithatë, ai thotë se dëshiron të shohë përpara e të flasë për profesionin që ushtron dhe sferën akademike ku vepron.

KDP: Po e nisim këtë bisedë paksa jashtë mjekësisë dhe arsimit, si sfera ku ju veproni. Sot shënohet 14-vjetori i ngjarjeve të Gostivarit. A mund të na thoni se çfarë realisht ndodhi?

“Unë atëbotë sapo kisha filluar hapat e para te karrierës sime profesionale dhe isha në shërbim me uniforme te bardhë, të cilën e përgjaku policia e asaj kohe.”

Kenan Ferati: Në shqiptarët, kudo qofshim, kemi shumë data të rëndësishme në aspektin kombëtar në kalendarin tonë ndër shekuj. Gjithashtu, edhe Gostivari si qytet në një pozitë gjeografike strategjike ka qenë gjithmonë në shënjestër te armiqve të përbetuar në periudha te ndryshme kohore gjatë historisë. Andaj, s’kishte si të anashkalohej edhe atëherë kur ishin lëvizjet e rëndësishme për ruajtjen dhe mbijetesën e qenies tonë kombëtare sepse, siç dimë të gjithë, përdorimi i gjuhës dhe simboleve tona janë të shenjta për të gjithë ne, që në djepin e nënës. Ne rritemi me frymëzim te tille dhe jemi të gatshëm te japim edhe jetën për to. Ashtu ndodhi edhe në 1997, kur askush nga ne që ndodheshim në turmë në asnjë çast nuk e mendonim se largohemi nga vdekja, atë e kishim shume afër. Unë atëbotë sapo kisha filluar hapat e para te karrierës sime profesionale dhe isha në shërbim me uniforme te bardhë, të cilën e përgjaku policia e asaj kohe. Kjo me të gjitha konventat botërore përbën shkelje të rëndë, por policia dhe ushtria e atëhershme një-etnike asnjëherë nuk iu përmbajtën asnjë konvente kur ishin ne pyetje shqiptarët, qoftë këtu, qoftë në Kosovë apo gjetiu. Me 9 korrik 1997 unë pësova duke u munduar qe t’ia jepja ndihmën mjekësore njërit nga dëshmoreve të kësaj date të rëndësishme, që vulosi historinë tonë në shumë këndvështrime. Për këtë ekziston edhe një dëshmi – një video-incizim i një gazetari, te cilin mua ma dërguan vite me pas, ku është e dokumentuar e gjithë ngjarja dhe momenti i plagosjes. Këtë ngjarje sot e kujtoj me shumë dhimbje por njëkohësisht me shumë krenari sepse isha i gatshëm edhe jetën ta jepja nëse do t’ia vlente për atdheun. Nga kjo distance kohore tani mund të themi se ishte një skenar i trishtë dhe shumë mire i menduar nga ana e aparatit shtetëror për te mposhtur krenarinë shqiptare dhe për te demonstruar superioritet ndaj neve.

KDP: Nga kjo distancë kohore, mendoni se ka arritur një paqësim ndëretnik apo edhe një barabarësi qytetare në gëzimin e të drejtave?

Kenan Ferati: Sa i përket asaj se çfarë është arritur deri tani mund te them një gjë: Është arritur shumë. Ne që kemi jetuar dhe jemi arsimuar pjesërisht ne regjimin e kaluar e kemi shumë të qartë se sa është bërë deri tani, duam apo jo ta pranojmë haptazi për shkaqe te ndryshme si politike apo personale. Apetitet dhe hatërmbetjet e njerëzve janë të mëdha, por një gjë dua ta theksoj se në kohen kur isha në moshën e djalit tim ishte fanta-shkencë të imagjinoje të studioje në gjuhën shqipe në këtë shtet. Tani mund te zgjedhim institucionin ku duam te mësojmë dhe mendoj që nuk është pak kjo. Edhe në sferat tjera te jetës kemi shumë ndryshime, jo vetëm ne arsim, por edhe ne shëndetësi, polici, mbrojtje etj. Sigurisht që ka akoma për të bërë, pa dyshim se proceset nuk mund të ecin me shpejtësinë e dritës, por jemi në rrugë të mirë në këtë aspekt. E them këtë pasi tani partner strategjik kemi ndërkombëtarët, kemi Amerikën dhe NATO-n dhe kjo na bën qe të shpresojmë në një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Politika ditore është diçka tjetër, por të arriturat e deritanishme – duke pasur parasysh proceset politike ne Ballkan ne dekadat e fundit – na bëjnë të ndjehemi më të sigurtë për ardhmërinë e fëmijëve tonë. Maqedonasit duhet ta kuptojnë se ne jemi partnerët e tyre këtu, andaj sa më shpejtë ta pranojnë këtë realitet aq më mirë do të jetë për të gjithë.

KDP: T’i kthehemi sferës ku aktualisht veproni. U bë më shumë se një vit që në nivel botëror është shpallur pandemia e COVID-!9. Kur mendoni se do të “zgjohemi” nga kjo ëndërr e keqe për t’iu rikthyer normalitetit, jetës që kishim më parë?

Kenan Ferati: Keni të drejtë. Për të gjithë ne, e gjithë kjo situatë, shfaqet si një ëndërr e keqe nga e cila duam që të zgjohemi më shpejtë. Për 16 muaj bota jeton ne një situatë tejet të vështire, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik. COVID-19 solli një zhvendosje te jashtëzakonshme të rrjedhave jetësore, mori mijëra jetë njerëzish dhe dhjetëra mijëra të tjerë kaluan ne golgotën e shërbimeve shëndetësore të stërngarkuara në të gjithë planetin. Sa i përket rikthimit në normalitet, unë jam shume optimist se do t’ia dalim me vaksinimin masiv te popullatës dhe me ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit te infeksionit. Kjo do të ndodhë kur përqindja e të vaksinuarve do të arrijë në nivel të mjaftueshëm që të kemi imunitetin e tufës. Historia njeh shumë epidemi e pandemi, ndaj të cilave triumfoj njerëzimi. Shpresoj shumë se do t’ia dalim sepse i besoj fort shkencës. Do të triumfojmë përsëri.

KDP: Ju jeni edhe pronar i qendrës stomatologjike “Apolon” në Tetovë. Si ndikoi pandemia në aspektin ekonomik? Kishit vështirësi?

Kenan Ferati: Po, unë jam themelues i poliklinikës dentare “Apolon” ne Tetovë. Si çdokund ashtu edhe te ne pandemia kishte një impakt të fortë, veçanërisht për vetë shkakun se stomatologet janë ne vijën e parë të frontit sa i përket infeksioneve te kësaj natyre. Distanca mjek-pacient është shumë e vogël dhe kjo na bën që të jemi më shumë të ekspozuar ndaj të gjithë infeksioneve që shpërndahen me aerosole. Për nga aspekti ekonomik, si të gjithë kompanitë tjera, jemi prekur edhe ne sepse kemi një numër të konsiderueshëm të të punësuarve. Hasëm në vështirësi në mirëmbajtjen e bilancit të qëndrueshëm, por fatmirësisht nuk u detyruam të largojmë dike nga puna. Përkundrazi, me ndryshimin e protokolleve të punës kemi rritje të stafit part-time në kompani.

KDP: Po me shëndetin dental të popullatës, çfarë ka ndodhur? Ka kohë që i janë shmangur stomatologut shkaku i frikës nga virusi.

Kenan Ferati: Vizitat te stomatologu përgjatë kësaj periudhe, veçanërisht në pjesën e restrikcioneve më të mëdha të lëvizjes, ishin shume te reduktuara. Si pasojë e kësaj pacientet, nga frika e vizitës te mjeku stomatolog, filluan ta anashkalojnë shëndetin oral duke i dhënë përparësi ndryshimeve shëndetësore që kishin të bëjnë vetëm me emergjenca. Kjo pastaj u reflektua edhe në një përkeqësim të gjendjes së përgjithshme ne aspektin e shëndetit oral, gjë që pas periudhës së parë të restrikcioneve filloi edhe te sanohet gradualisht. Klinika jonë gjithmonë, që kur ekziston, ka pasur protokolle strikte të punës, andaj protokollet shtese përgjatë kësaj periudhe nuk na kanë rënduar shumë. Ne vetëm i kemi shtuar disa nga ato. Mua më kënaq fakti se vetëdija e popullatës sa i përket shëndetit oral është në një nivel shumë të mirë në vitet e fundit dhe kjo sigurisht që ka të bëjë edhe me informimin e mirë që e bëjnë mediumet e ndryshme. Andaj unë u jam shumë mirënjohës të gjithë punonjësve të mediumeve për qasjen ndaj kësaj sfere të shëndetësisë, por edhe punën e palodhshme qe e bëjnë. Ato u dhanë hapësirë të mjaftueshme stomatologeve qe te japin informacione dhe t’i këshillojnë pacientët në kohërat më të vështira.

KDP: A janë stomatologët shqiptarë në mënyrë të drejtë të përfaqësuar në organizatat stomatologjike në nivel shtetëror, siç është për shembull Oda e Stomatologëve të RMV?

Kenan Ferati: Po. Nga viti 2019 kemi ndryshime shume pozitive sa i përket përfaqësimit dhe faktorizimit te stomatologeve shqiptar ne ketë institucion. Janë bere hapa gjigante ne këtë aspekt, duke filluar nga përfaqësimi ynë ne çdo organ vendimmarrës te këtij institucioni. Për herë te pare edhe kryetari i Këshillit Ekzekutiv përfaqësohet nga shqiptaret. Pastaj, kemi për herë të parë organizimin dhe mbajtjen e provimit profesional ne gjuhen shqipe. Kjo ndodh për herë të parë në historinë e Odes Stomatologjike të RMV.

KDP: Shpesh lexojmë se Maqedonia e Veriut, e Tetova në veçanti, është destinacion atraktiv për shumë turistë, që kanë për qëllim intervenimet stomatologjike. Ky trend në botë njihet si “turizëm dental”. Si qëndroni Ju dhe anëtarët tjerë të Shoqatës në këtë drejtim?

Kenan Ferati: Turizmi dentar është një trend ne rritje ne nivel botëror po edhe te ne gjithsesi. Shumë nga kolegët tanë kanë organizuar edhe grupe turistesh nga vende të ndryshme dhe kjo na jep shpresë se gjërat ecin në rrjedhën e duhur. Por, unë dua te theksoj faktin se ne të gjithë që jetojmë në këto troje e dimë që mërgata jonë është një shtyllë shumë e fortë mbështetëse në veprimtarinë tonë. Nuk i konsiderojmë si turiste sepse ata janë pjesë e trungut tonë, që vijnë në vendlindje dhe njëkohësisht shërbimet shëndetësore stomatologjike i kryejnë këtu. Duke qenë se këto shërbime në vendet ku ato punojnë dhe veprojnë janë të nivelit të njëjtë me atë që ne e ofrojmë, natyrisht më tërheqëse janë çmimet, të cilat janë shumëfish më të ulta këtu. Pra, benefiti është i dyfishte.

KDP: Jeni kryetar i Shoqatës të Stomatologëve Shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Pse u themelua dhe cili është vizioni e misioni i organizatës?

Kenan Ferati: Po, unë që nga viti 2018 jam edhe kryetar i Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare, e cila është themeluar në vitin 1997 dhe vepron si e pavarur. Sigurisht që është themeluar nga nevoja e mjekeve për të pasur një institucion ku do të mund t’i ndajnë përvojat dhe arritjet e tyre profesionale. Brenda organizatës ne më lehtë mund të avancojmë njohuritë tona duke bashkëpunuar me njeri-tjetrin në një kornize te përbashkët. Misioni ynë është qe ta promovojmë sa me shume këtë institucion dhe ta afirmojmë me shume duke bashkëpunuar me te gjitha institucionet simotra ne gjithë globin. Ne organizojmë evente te ndryshme profesionale si kongrese, seminare dhe punëtori te lëmive te ngushta stomatologjike, duke sjelle risitë dhe ligjëruesit me te mire te nivelit botëror te ne. Gjithashtu, anëtarët tone marrin pjese ne shume evente te tilla qe organizohen ne vende te ndryshme te botes, duke ndare përvojat tona profesionale dhe duke promovuar vlerat e mirëfillta gjithandej.

KDP: Si qëndroni në raport me kolegët ndërkombëtarë. Keni komunikime?

Kenan Ferati: Siç e theksova edhe më lartë, komunikimi me kolegët në të gjithë globin është i shkëlqyer dhe në një nivel shumë të lartë. Ne jemi pjese e çdo eventi të rëndësishëm që organizohet në vende te ndryshme te botës. Bashkëpunim të veçantë kemi me vendet e rajonit, me të cilat organizojmë ngjarje të përbashkëta me shoqata dhe asociacione te kësaj fushe. Bashkëpunimet e tilla kultivohen duke pasur kuadro dhe duke siguruar ligjërues eminent ne çdo lëmi stomatologjike. Kjo na promovon neve si edhe popull, por edhe e avancon punën tonë të përditshme. Fundja ne gjithë atë përvojë nga këto evente e implementojmë te pacientet tonë. Andaj edhe suksesi është evident.

KDP: Jeni edhe viziting-profesor në Gjermani, në Universitetin Mjekësor të Tiranës dhe në Universitetin e Kombeve të Bashkuara me seli në Beograd. A mund të na bëni një krahasim të sferës së stomatologjisë atje dhe këtu? Ku ngecim, ku janë përparësitë dhe çfarë duhet bërë?

Lirisht mund të them se studentët tanë dhe kuadrot qe përgatisim ne janë konkurrent në tregun global, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë shkencor.

Kenan Ferati: Duke bërë një krahasim mes këtyre institucioneve me përvojë dhe mundësitë e ndryshme që kemi, jam i mendimit se ne nuk ngecim aspak në aspektin profesional. Por, në aspektin material dhe organizativ pa dyshim se duhet të bëjmë hapa më të mëdhenj sepse është imperativ i kohës kjo. Lirisht mund të them se studentët tanë dhe kuadrot qe përgatisim ne janë konkurrent në tregun global, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë shkencor. Ato tashmë janë dëshmuar në vende të ndryshme të botës duke na përfaqësuar me shumë dinjitet. Ky fakt më gëzon pa masë dhe me jep kurajë edhe më të madhe për të vazhduar edhe me tej me misionin tonë.