Rama: E di se për çfarë mendohet Kosova, jam absolutisht kundër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nuk e kupton se pse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk i janë bashkuar atij, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në iniciativën e bashkëpunimit ekonomik rajonal, të njohur si “mini-Schengen”.

Marketing

Por Rama tha se e di se për çfarë arsye nuk po merr pjesë Kosova në iniciativën që tani ka ndryshuar emër.

“E di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe ta bëjnë maksimumin për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku”, tha Rama në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po zhvillohet në Shkup.

Ai tha se e shkuara duhet të lihet pas dhe se ajo nuk duhet ta determinojë të ardhmen.

“E shkuara nuk mund të diktojë se sa rritemi ekonomikisht. Përkundrazi, e ardhmja duhet ta diktojë. E shkuara nuk mund ta diktojë se sa zhvillohemi në të gjitha aspektet”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar tha se nuk ka asgjë që nuk mund të zgjidhet nëse shikohet nga e kaluara.

“Ne jemi këtu për të ardhmën dhe çështjet e së shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara, nuk ka çështje të së shkuarës që do të zgjidhet në të ardhmen”, deklaroi Rama.

Për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të mos iu bashkuar kësaj nisme, foli indirekt edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se disa mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme.

“Gjithmonë do të kemi oponentë ndaj kësaj iniciative. Gjithmonë do të ketë dikush që do të kërkojë për teori konspiracioni, që nuk mendojnë për ekonominë, të cilën nuk mendojnë në afat të gjatë dhe ata të cilët mendojnë vetëm për zgjedhjet e afërta që vijnë”, tha Vuçiq.

Para tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaef e ftoi Kurtin dhe liderët tjerë të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, tha Zaev.

Kryeministri i Kosovës kishte deklaruar vitin e kaluar se “mini-Schengeni” mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re.

“Më duhet të jem i sinqertë se mini-Schengeni ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Mini-Schengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, shprehej Kurti.

Por Kosova ishte zotuar në marrëveshjen e Washingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Kurti që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.

Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më.

“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti.