20 vjet Marrëveshje e Ohrit, “Decentralizimi para dhe pas MO-së”

Decentralizimi është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e marrëveshjes së Ohrit, por decentralizimi fiskal, ende po has në vështirësi në implementimin e tij në praktikë. Profesori universitar Mersim Maksuti, thotë se për momentin vërehen intenca të pushtetit qëndror për të mbajtur primatin e kontrollit ndaj pushtetit lokal.

Marketing

“Pushteti qëndror mund përmes kompetencave të deleguara të uzurpojë autonominë lokale të organeve, duke ndërhyrë përmes këtyre kompetencave pra pushteti qëndror mund të cënojë lirinë e organeve lokale” – tha profesori universitar, Mersim Maksuti.

Pa decentralizim fiskal, pjesët tjera të decentralizimit mund të mbesin vetëm në letër, thotë Ministri i Ekonomisë. Kreshnik Bekteshi.

“Pushteti qëndror më shumë ka pasur dëshirë të delegojë kompetencat administrative por jo edhe ato fiskale, pasi ka konsideruar se pushteti duhet të menaxhohet nga qendra” – u shpreh Ministri i Ekonomisë. Kreshnik Bekteshi.

Por zv.kryeministri Fatmir Bytyqi thotë se komunat duhet të tregojnë se janë të afta të menaxhojnë me buxhetet.

“Performancë e cila nuk do jetë e lidhur vetëm me numra, por edhe me sadisfakcionin e qytetarëve ndaj shërbimeve që komuna i jep. Çfarë do modeli që do pranojmë në fund, komunat bashkë me pushtetin qëndror dhe qytetarët, duhet të ketë në vete aspektin e zanafillës së fazës së decentralizimit. Modeli duhet të krijon jetë të dinjitetshme të qytetarëve pa marë parasysh në cilën komunë jetojnë” – deklaroi Zv.Kryeministri për Çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Qeveria ka diskutuar rreth formimit të Agjencisë për Zhvillim Lokal për të ndihmuar komunat në rritjen e kapacitetit të tyre fnanciar.

Drafti i ligjit pritet të jetë gati në shtator pas harmonizimit edhe me BNJVL-në.

“Ideja që diskutohet është që Byroja për Zhvillim të Barabartë Rajonal, të tansferohet në një institucion të tillë ku përvec mjeteve buxhetore të shfrytëzohen edhe mjete të tjera nga investues privatë. Kështu do të rriten kapacitetet e pushtetit lokal për të shfrytëzuar mjete financiare për zhvillim të komunave” – tha Ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ministri i pushtetit lokal Goran Milevski përkujton se MO kishte si qëllim që të gjithë qytetarët të jetojnë më mirë në shtetin e tyre, e kjo bëhet duke e ndjerë se institucionet janë në shërbim të plotë të tyre.

“Ky ishte qëllimi i MO-së, që të gjithë të kenë të drejta të jejta në arsim, punësim, përdorimin e gjuhës amë, detyrime të njejta gjithashtu , por edhe t’u lehtësojnë komunikimin e përditshëm me pushtetin qëndror dhe atë lokal” – theksoi Ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski.

Debatet rreth decentralizimit që u mbajtën në Kërçovë dhe Çair, janë pjesë e paneleve kushtuar 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.