QMK: Shiu ndihmon në lokalizimin e zjarreve

Vatrat e medha të zjarrit që kishin përfëshir vendin janë vënë në kontroll. Shumica e tyre janë shuar tërsisht, nuk ka asnjë vatër zjarri të pakontrolluar dhe të rrezikshme në territorin e vendit tonë, njoftojnë nga Qendra për menaxhim me krizat, faktor për këtë janë edhe ndryshimet e motit që ndodhën pasditen e djeshme.

Marketing

“Për fat të mirë, sot kemi ulje të madhe të zjarreve gjë për të cilën ndikojnë dy faktorë, e para dhe më e rëndësishmja nga rrethanat e motit, pasi dje ra shi, madje në disa rajone në Maqedoni kishte edhe mot të lig. Por edhe nga forcat e angazhuara në suaza të sistemit për menaxhim me kriza për shuarjen e zjarreve.”, tha Ilija Bojarovski nga QMK.

Nga QMK thonë se zjarri në rrethinën e Petrovecit është shuar në tërësi, ndërsa në rajonin e Sarajit në fshatin Rahoviq, është shuar, por ka vatra të cilat akoma duhet të mbahen në kontroll, andaj përfaqësues të QMK me njësi speciale me ekspertë francez kanë shkuar në terren për vëzhgim në këtë pjesë. Janë shuar edhe zjarret në rajonin e Prilepit. Siç njoftojnë nga QMK në mëngjes është paraqitur zjarr në Vlladimirovë dhe Rusinovë por me intervenim të shpejtë të njësive kujdestare zjarri është shuar. Vendi u përfshi nga vala e zjarreve që në fillim të muajit gusht, ndërsa më të rrezikuara ishin rajoni i Pehçevës dhe Dellçevës.

Në ndihmë për të shuar zjarret në vendin tonë erdhën njësi të zjarrfikësve nga Bullgaria, Sllovenia, Austria dhe ekspertë francez. Rumania ndihmon me aeroplan për shuarjen e zjarreve ndërsa për disa ditë kishte edhe dy helikopterë nga Serbia. Nga zjarret, zyrtarisht është regjistruar vetëm një zjarrëfikës i lënduar nga Austria, i cili ka marrë plagë serioze, por është jashtë rrezikut për jetë.