Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit shpëtoi vendin nga tragjedi të mundshme

Kreu i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka deklaruar se pjesa legjislative e saj është përmbushur, por “pjesa pragmatike ka akoma për të bërë”.

Marketing

Maqedonia e Veriut nesër shënon 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptar dhe maqedonas.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), kreu i BDI-së thekson se Marrëveshja e Ohrit është një ndër dokumentet më të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut, sepse kjo marrëveshje “shpëtoi vendin nga tragjedi të mundshme”.

“Marrëveshja e Ohrit shpëtoi vendin nga tragjedi të mundshme, që mund të ndodhnin nga ndarjet, tragjedi të panumërta në humbje njerëzish. Është intervenuar në kohë, duke pasur parasysh përvojat e mëhershme si në Bosnjë dhe Kosovë që ndodhën. Komuniteti ndërkombëtar ishte shumë më i shpejtë dhe ndërhyri mes palëve për të filluar negociatat për një marrëveshje të mundshme paqësore”, shprehet Ahmeti.

Ahmeti foli edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për çka tha se nga kjo marrëveshje kanë fituar të gjithë komunitetet që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por shtoi se ka akoma punë për të bërë.

“Marrëveshja e Ohrit është zbatuar, pjesa legjislative është përmbushur, pjesa pragmatike ka akoma për të bërë. Nuk duhet të jemi mendjemëdhenj që të themi është mbyllur gjithçka, ke akoma dikastere pa përfaqësim të komuniteteve të tjera, përfshirë këtu shqiptarët, turqit, romët e kështu me radhë. Akoma ka paragjykime nga komuniteti maqedonas se po e humbin shtetin e tyre. Nga Marrëveshja e Ohrit kanë fituar të gjithë. Kanë fituar edhe maqedonasit, sepse të fitosh paqe, stabilitet dhe siguri, sigurisht që kjo është një fitore shumë e madhe”, deklaron Ahmeti

Nga Marrëveshja e Ohrit, Ahmeti thotë se kanë fituar edhe besimet fetare, si ai evangjelist dhe ai hebraik, besime të të cilave nuk u njiheshin të drejtat e legjitimitetit.

“Themelet e shtetit i forcoi Marrëveshja e Ohrit dhe i afroi komunitetet. Ne nuk kemi qenë egoistë vetëm për vete, por kemi hapur shteg edhe në ushtri, por edhe në arritjen e marrëveshjes që të trajtohemi të gjithë të barabartë”, shprehet Ahmeti.

I pyetur rreth motos së jubileut të 20-të të nënshkrimit të marrëveshjes “Përtej Ohrit”, Ahmeti thotë se kjo nënkupton që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE), të ketë standarde të përafërta me vendet e BE-së, por edhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve pavarësisht përkatësisë etnike.

“Kjo është Maqedonia përtej Ohrit. Me standarde, me sundim të ligjit, me luftë kundër korrupsionit dhe me një Maqedoni të sigurt për të jetuar. Kemi aq shumë punë për të bërë për ta tejkaluar Ohrin, edhe në fushën e ekonomisë, edhe në fushën e ambientit. Ne akoma kemi vendbanime pa kanalizime, ne akoma kemi ajrin që ndotet nga amvisëritë ose biznese të ndryshme. Sa më shumë që thellohesh, aq më shumë sheh se sa punë ke përpara për të bërë”, thotë Ahmeti.

Marrëveshja e Ohrit

Konflikti ndëretnik shpërtheu në fillim të vitit 2001 mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave të sigurisë së Maqedonisë për shkak të pakënaqësisë së shqiptarëve, të cilët kërkonin përfaqësim më të lartë dhe avancimin e të drejtave të tyre në vend.

Gjatë konfliktit, që zgjati disa muaj, në kryeqytetin Shkup filluan negociatat mes palëve, për të vazhduar më tej në Ohër ku u bë përafrimi i dokumentit. Këto negociata zgjatën dy muaj dhe u mbyllën me sukses më 13 gusht të atij viti me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë në rezidencën presidenciale në Shkup.

Pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes ishin krerët e partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesit e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-së.Marrëveshja çoi në avancimin kryesisht të të drejtave të shqiptarëve, por edhe të komuniteteve të tjera pakicë në vend, gjegjësisht të komunitetit turk, boshnjak, serb, vlleh dhe rom. Përgjatë viteve, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë janë miratuar mbi 130 ndryshime dhe plotësime ligjore, prej të cilave pjesa më e madhe janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, ndërsa një pjesë e tyre janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

20 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, opinioni i ekspertëve dhe publikut të gjerë për marrëveshjen është i ndarë. Për disa kjo marrëveshje kontribuoi në ndërtimin e Maqedonisë së Veriut multietnike, garantoi dhe promovoi të drejtat e komuniteteve më të vogla etnike, ndërsa disa mendojnë se duhet akoma shumë të bëhet për ta zbatuar atë.

Ahmeti ishte udhëheqësi politik i UÇK-së dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së vitit 2001 ai themeloi BDI-në. Që nga ajo kohë, kjo parti politike ka luajtur një rol kyç në çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Interesimi ynë, raportet me Turqinë të jenë në kuadër të marrëdhënieve miqësore”

I pyetur rreth marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, Ahmeti thotë se marrëdhëniet janë miqësore, ndërsa përshëndet komunikimin në të gjitha fushat, që sipas tij, është në avancim e sipër.

“Sigurisht që interesimi ynë në vazhdimësi ka qenë që raportet me Turqinë të jenë në kuadër të marrëdhënieve miqësore. Ka komunikim, ka bashkëpunim në të gjitha fushat, në fushat politike, në fushën e ekonomisë, ka investime nga Turqia dhe ky komunikim është për t’u përshëndetur, është në avancim e sipër me kalimin e kohës”, tha Ahmeti.

Kreu i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka deklaruar se pjesa legjislative e saj është përmbushur, por “pjesa pragmatike ka akoma për të bërë”. Maqedonia e Veriut nesër shënon 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptar dhe maqedonas. ( Umeys Sulejman – Anadolu Agency )