Zjarret e mëdha disaditore në pjesën lindore të vendit janë vënë nën kontroll, mirëpo kompetentët po përballen me dy vatra tjera. Qendra e Menaxhimit të Krizave ka njoftuar se zjarri në fshatin Raoviq të Komunës së Sarajit ende është aktiv pas intervenimit prej disa ditëve. Këtë zjarr janë duke e ndjekur edhe ekspertë nga Franca, kurse në ndihmë ka ardhur edhe një helikopterë nga Mali i Zi i cili ka bërë 12 fluturime duke lëshuar sasi të mëdha të ujit nëpër vatra.
Zjarri tjetër aktiv është në rrethin e Komunës Qendra Zhupë. Për këtë shkak sot në mëngjes në koordinim me Shtabin Kryesor të Qendrës për Menaxhim me Kriza janë aktivizuar 40 pjesëtarë të Armatës, 30 pjesëtarë të forcave special policore, 15 pjesëtarë të Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”, si dhe dy njësi territoriale të zjarrfikësve.
Sipas vlerësimeve të para, nga 28.000 hektarë pyje në territorin e Komunës së Dellcevës, janë djegur 2.400 hektarë ose rreth 8% të fondit të përgjithshëm të pyjeve të Komunës.
Qeveria ka theksuar se po merren masa për të ndihmuar rajonet më të goditura nga zjarret, derisa, sic paralajmëruan do të bëhet vlerësimi i përgjithshëm me qëllim të dëmshpërblimit.
Nga Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare” kanë thënë se për një javë do të dihet se sa hektarë janë djegur dhe sa janë dëmet në sipërfaqet e djegura.