Aleanca për Shqiptarët ende nuk ka vendosur, por mendon të kandidojë edhe në Kërçovë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Siç bëri të ditur sekretari i përgjithshëm i ASh-së, Arben Taravari këtë mendojnë ta bëjnë, pasi siç tha, vota shqiptare është e përçarë në Kërçovë.
“Për Kërçovë nuk kemi ende një vendim, por siç e dini, tani ka të shpallur dy kandidatë. Njëri është kandidat i BDI-së, tjetri është kushëriri i Ali Ahmetit. Ne s’kemi vendosur, por mendojmë për kandidaturën tonë, pasi ta shpallnim ne kandidaturën e dytë, do të thonin se ne e përçajmë votën shqiptare, tash votën e shqiptarëve nuk e përçan Aleanca dhe Alternativa, por tash vota e shqiptarëve është e përçarë atje”, tha Taravari, transmeton TV21.
Tërë këtë siç tha ai, e bëjnë për të mirën e shqiptarëve.
“Qëllimi është shumë fisnik, që të bëhet ndryshimi. Shqiptarët atë e kërkojnë dhe e duan”, tha Taravari.
Paraprakisht, njoftoi se pritet edhe finalizimi i marrëveshjes për koalicion mes ASh-së, Alternativës dhe VMRO-DPMNE-së e cila me shumë gjasë pritet të publikohet javën që vjen.