Ashtu sikurse dy shkollat nëntëvjeçare – “Penestia” dhe “Said Najdeni”, kërkesë për mësim fizik ka edhe shkolla e vetme e mesme komunale në Dibër – “28 Nëntori”, drejtoria e së cilës në kontinuitet edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe sivjet, ka pohuar që posedojnë kushte për mësim fizik.
Shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme në Dibër i kanë të gjitha kushtet për të realizuar mësimin me prani fizike nga 1 shtatori. Këtë e pohojnë për gazetën KOHA drejtorët e shkollave në Dibër, të cilët theksojnë se është mirë që fillimi i vitit shkollor t’u mundësojë nxënësve të vijojnë mësimin me prezencë fizike në bankat shkollore. Drejtori i shkollës nëntëvjeçare “Penestia”, Ajet Mullarexha, deklaroi se masat e fundit qeveritare dhe qëndrimet e Ministrisë së Arsimit mundësojnë mësim me prani fizike në mbarë vendin.
“Shkolla e jonë posedon hapësira të nevojshme me të cilët garantohet respektimi i masave për mbrojtjen nga Kovid-19. Ne si drejtori e shkollës jemi të gatshëm të realizojmë mësim me prezencë fizike të nxënësve, duke respektuar të gjitha masat. Po ashtu, mbi 80 për qind e arsimtarëve tanë tanimë janë të vaksinuar”, thotë drejtori Mullarexha, sipas të cilit, mësimi me prezencë fizike është mënyra më e përshtatshme për nxënësit e Dibrës. Shkolla nëntëvjeçare “Penestia”, ku mësimi realizohet në gjuhën shqip dhe në maqedonisht, ka edhe shkolla periferike, ku sipas drejtorit Mullarexha, poashtu posedojnë kushte adekuate për mësim me prani fizike. Të njëjtin mendim e ka edhe drejtoria e shkollës tjetër nëntëvjeçare “Said Najdeni”, ku mësimi mbahet vetëm në gjuhën shqipe. Drejtori i shkollës, Burim Kaziu, thotë se objekti i shkollës plotëson të gjitha kushtet për mësim fizik. “Ne këtë e kemi deklaruar edhe më parë dhe jemi të mendimit se do të respektohen të gjitha masat për mbrojtje të nxënësve dhe arsimtarëve, por edhe stafit teknik nga virusi Kovid-19”, siguron Kaziu, duke potencuar se mësimi me prezencë fizike kërkohet edhe nga prindërit e nxënësve.
Kërkesë të njëjtë ka edhe shkolla e vetme e mesme komunale në Dibër – “28 Nëntori”, drejtoria e së cilës në kontinuitet edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe sivjet, ka pohuar që posedojnë kushte për mësim fizik. Gjatë vitit të kaluar, prindërit dhe nxënësit e shkollës kanë patur edhe protesta dhe nuk kanë pranuar mësim në distancë. Drejtori i shkollës “28 Nëntori”, Ramdan Imeri thekson se objekti i ri, i cili është një ndër objektet më të bukura dhe më të mëdha në vend, mundëson maksimalisht mësim me prezencë fizike. “Ne e përshëndesim përcaktimin për mësim me prezencë fizike në fillim të vitit shkollor”, thotë drejtori Imeri. Veç shkollave, mësim fizik kërkon edhe pushteti vendor i Dibrës, sipas të cilës, shkollat në këtë komunë i plotësojnë kushtet për mësim fizik.