Ministri Shaqiri: E ardhmja e vendit është digjitale dhe e gjelbër

Kriza e COVID-19 dhe masat e planifikuara të rimëkëmbjes për të “ndërtuar më mirë” kanë nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm që teknologjitë digjitale mund të luajnë në rritjen e elasticitetit të ekonomive dhe shoqërive tona, deklaroi Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, z.Jeton Shaqiri në fjalimin e tij në “Shkup forumi ekonomik dhe financiar” në temë “Rimëkëmbja dhe rritja ekonomike pas Kovid”, të organizuar nga Ministria e Financave.
“Teknologjitë digjitale gjithashtu kanë potencialin për të ndihmuar në adresimin e shumë prej shkaqeve rrënjësore të krizave aktuale globale të ndërlidhura, përfshirë ndryshimin e klimës, ndotjen dhe humbjen e biodiversitetit. Ekonomia digjitale po lulëzon. Është fakt se gjatë pandemisë, sektori i vetëm i biznesit që tregoi rritje në Maqedoninë e Veriut, ishte sektori i IT -së. Ajo vazhdoi të rritet dhe punësoi njerëz gjatë kësaj periudhe kohore”, tha ministri Shaqiri.
Ne si ministri, theksoi ministri Shqiri, me bashkëpunim të plotë me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut kemi vendosur objektivat tona në procesin e digjitalizimit të vendit.
“Ne synojmë të prezantojmë masa të mëtejshme për të ndihmuar sektorin e IT, në mënyrë që ai të mund të vazhdojë rritjen e tij pa asnjë pengesë. Qëllimi ynë është që deri në fund të vitit 2030 të ketë 25.000 punonjës në këtë sektor, në krahasim me 13.000 punonjës aktualë. Ne po inkurajojmë studentët të studiojnë në sektorin e TIK -ut. Qëllimi ynë është që 4% e të diplomuarve të jenë nga ky sektor, dy herë më shumë se në vitin 2020. Ne planifikojmë të investojmë më shumë në infrastrukturën tonë digjitale. Deri në fund të këtij viti, 99% e familjeve do të mbulohen me sinjal 4G, 83% e tyre do të mbulohen me sinjal të shpejtë broadband, krahasuar me 78% nga viti i kaluar. Deri në fund të vitit 2023, do të kemi të paktën një qytet të mbuluar plotësisht me sinjal 5G. Të gjitha korridoret kryesore do të mbulohen me sinjal 5G deri në fund të vitit 2025, dhe më shumë se gjysma e familjeve do të kenë të paktën lidhje interneti prej 100 Mbps, me mundësinë për një lidhje gigabajt. Ne do të sigurojmë një lidhje interneti prej 1 gigabit në sekondë për të gjitha institucionet publike deri në vitin 2029”, theksoi Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, z.Jeton Shaqiri.
Lidhur me digjitalizimin dhe ekonominë e gjelbër, ministri Shaqiri tha se po zbatohet projekti “Sistemi i menaxhimit të dokumenteve” – me synimin për të ndërlidhur sa më shumë institucione publike në këtë sistem. Përmes këtij sistemi do të shkurtojmë kohën e përpunimit të dokumenteve dhe do të zvogëlojmë përdorimin e letrës.
“Qëllimi ynë është që të kemi 95% të të gjitha shërbimeve kryesore publike në internet deri në vitin 2030, krahasuar me 151 shërbime në vitin 2020. Qytetarët tanë do të kenë qasje në regjistrat e tyre elektronikë mjekësorë dhe 80% e tyre do të përdorin një zgjidhje të identifikimit digjhital deri në vitin 2030. Ne si qeveri dhe ministër jemi në rrugën e duhur drejt digjitalizimit dhe zhvillimit të ekonomisë së gjelbër. Do të vazhdojmë të mbështesim më tej sektorin e IT në vend”, nënvizoi ministri Shaqiri.

Marketing
Marketing