Albin Kurti censuron viziten e homologut të tij Edi Rama. Nëse sheh faqen zyrtare të Facebook-ut të kreut të qeverisë së Kosovës, dita e tij e djeshme e punës nuk ka patur asgjë të jashtëzakonshme. Asnjë rresht apo asnjë foto nuk gjen në adresën e Facebook-ut të Albin Kurtit nga takimi zyrtar që pati me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Deklaratat e të cilit në fakt, në përkrahje të plotë të qeverisë kosovare dhe vetë Kryeministrit kosovar Albin Kurti për situatën më të fundit në pikat kufitare me Serbinë, u cituan nga shumë media përfshirë edhe ato të Beogradit.
Asgjë e rëndësishme në fakt për Kurtin, si ky qëndrim i Ramës tepër i ashpër ndaj Beogradit zyrtar apo dhe vendime të tjera të përbashkëta të marra gjatë takimit të djeshëm në Prishtinë. Nuk gjen në adresën e Facebook të Albin Kurtit, qoftë dhe një foto të vetme me z.Rama me një shtrëngim duarsh, sa për kortezi të ftohtë protokollare.
Krejt ndryshe , duket se e ka përjetuar këtë vizitë në Prishtinë Kryeministri Rama, i cili në adresën e tij zyrtare në Facebook ka hedhur plot 12 statuse të ndryshme me tekst, foto e video duke e pasqyruar me detaje këtë vizitë të tij në Prishtinë.
Ky ishte një vëzhgim i lehtë që nuk mund të lihej pa u bërë publik por të shpresojmë që këtë disnivel të mos e shohim dhe në marrëdhëniet mes dy qeverive të Tiranës dhe Prishtinës./