Policia holandeze ka qëlluar dhe plagosur së paku dy persona pas shpërthimit të trazirave në Roterdam shkaku i kundërshtimit të masave të reja kundër pandemisë së koronavirusit.
Protestuesit e sulmuan policinë me gurë e fishekzjarrë si dhe ua vunë flakën automjeteve të forcave të rendit. Qindra protestues u mblodhën për ta shfaqur zemërimin e tyre ndaj planeve qeveritare për të kërkuar pasaportë të vaksinimit dhe për ndalimin e fishekzjarrëve në natën e Vitit të Ri.
Autoritetet holandeze javën e kaluar morën vendim për izolim të pjesshëm trejavor pas rritjes së numrit të rasteve me Covid-19, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Shtatë persona u lënduan gjithsej në protestë dhe së paku 20 u arrestuan. Kryetari i Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, i kritikoi veprimet e protestuesve duke e cilësuar përleshjen si “orgji të dhunës”.
Policia përdori të shtëna paralajmëruese dhe të shtëna të drejtpërdrejta, sepse situata ishte rrezik për jetën, i tha agjencisë “Reuters” një zëdhënës i policisë holandeze.
Qyteti u vendos në gjendje emergjente dhe stacioni kryesor i trenit në Roterdam u mbyll si rezultat i dhunës, përcjell Gazeta Express.
Në videot e publikuara në rrjete sociale shihen vetura të djegura të policisë dhe protestues të dhunshëm duke hedhur gurë në drejtim të policisë në rrugën kryesore tregtare të qytetit. Policia përdori ujë për t’i shpërndarë protestuesit.
Holanda vendosi masa të reja kufizuese të shtunën e kaluar pas shënimit të rekordit të rasteve me Covid-19. Në mesin e masave përfshihet kufizimi i orarit për restorante dhe dyqane si dhe organizimi i ngjarjeve sportive pa praninë e tifozëve.