Falsifikuan dokumentet e pronave, prokuroria lëshon 10 urdhër arreste

Një skemë e falsifikimit të dokumentave me qëllim tjetërsimin e pronave në bregdet është zbardhur nga Policia e Vlorës, në kuadër të operacionit të koduar “Himara”, ku janë ekzekutuar 7 masa sigurie, ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim. Sikurse thuhet në njoftimin e policisë, operacioni është kryer pas një hetimi disa mujor, i nisur nga strukturat hetimore të Drejtorisë së Policisë së Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Marketing

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si rezultat i një hetimi disa mujor, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumentave, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Himara”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë për veprat penale “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, si më poshtë:

U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: V. S., 67 vjeç, banues në Vlorë;E. M., 51 vjeç, banues në Himarë; P. P., 42 vjeç, banues në Himarë; Z. B., 58 vjeç, banues në Himarë; A. B., 64 vjeç, banues në Vlorë; E. M., 41 vjeç, banues në Himarë, i cili ndodhet aktualisht në IEVP Vlorë, i arrestuar më parë, për një tjetër vepër penale.

U ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim përparaqitje në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”, për shtetasin I. Gj., 68 vjeç, banues në Himarë.

Po kështu u bë shpallja në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve: M. S., 68 vjeç, banues në Himarë; A. K., 64 vjeç, banues në Himarë; K. DH., 68 vjeç, banues në Himarë.

Nga hetimet ka rezuluat se këta shtetas në periudha të ndryshme kohore, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre, dyshohen se nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, vulave, stampave e formularëve, kanë tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e kanë kaluar në pronësi të tyre, ose shitur tek persona të tjerë, duke përfituar shuma të konsiderueshme të hollash”, njoftoi policia.

Mësohet se emrat e të arrestuarve janë:

1-Vasillaq Strakosha

2- Edmond Marko

3- Pandeli Prifti

4- Zaho Bollano

5- Aleks Bifsha

6- Elton Marko

7- Irakli Gjiçali

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.