Rreshjet e borës kanë bllokuar rrugët në disa zona malore në vend, ndërsa shkaktuan edhe difekt në rrjetin e energjisë elektrike në pjesën perëndimore të vendit, duke i lënë pa energji elektrike disa pjesë të Kërçovës, Dibrës e Makedonski Brodit.
Prej tre ditësh në 14 fshatra të komunës së Makedonski Brodit vazhdojnë të mos kenë energji elektrike. Nga EVN kanë bërë të ditur se ekipet e tyre janë në terren dhe shpresojnë se së shpejti do të sanohet difekti.
Drejtoiri i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov apeloi te qytetarët që të ndjekin parashikimin e motit dhe tu shmangen zonave të thella malore.
Ai bëri të ditur që pas 25 vitesh kjo Qendër është furnizuar me 15 makina për pastrimin e borës.
“Sa i përket pastrimit të borës, kapacitetet tona janë të kufizuara dhe pas 25 viteve para disa ditëve për herë të parë jemi furnizuar me 15 makina për pastrimin e borës dhe solarë, dhe pas 25 viteve është rindërtuar parku i makinave i ndërmarrjes që është kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve. Giithashtu jemi furnizuar me tre makina për pastrimin e borës” – u shpreh Drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.
Poashtu rreshjet e mëdha të shiut dhe borës kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në lumin Bregallnica, duke i alarmuar autoritetet në Shtip dhe Dellçevë nga rreziku i vërshimeve, pasi uji ka dalur nga shtrati në disa fshatra.
Uji ka dalur nga shtrati edhe nga lumenjtë Strumeshnicë dhe Jaska në Bosillovë, duke vërshuar edhe disa shtëpi dhe objekte afariste.