Është ndërprerë shitja e aksioneve të SHA “Sllavija”, e arsyeja për këtë, siç sqarojnë nga Qeveria, është kërkesa për masë të përkohshme e dorëzuar në Gjykatë, pas kërkesës së Kiril Koçevskit, ish-pronar i aksioneve të kompanisë.
“Kërkesë e këtillë është dorëzuar edhe deri te Qendra e depozitimit të letrave me vlerë dhe deri te Komisioni për letra me vlerë. Kundër personit Kiril Koçevski është dorëzuar aktgjykimi fillestar për marrjen e aksioneve të SHA “Sllavija” për shkak të veprës së kryer penale. Është e drejtë ligjore e ish-pronarit që të kërkojë masë të përkohshme nga gjykata”, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Nga VMRO-DPMNE, e cila në mënyrë të vazhdueshme ka folur për shitjen e SHA “Sllavija”, thonë se me këtë ndërprerje Qeveria e pranoi fajin se deshën ta shesin në mënyrë kriminele dhe me pak para.
“Shitjen deshën ta bëjnë në mënyrë joligjore, pa vlerësime, pa vlera reale të pronës dhe ajo që është më interesante në periudhë vakumi në ndryshimin e dy garniturave të LSDM-së dhe disa ditë para Vitit të Ri, duke menduar se askush nuk do ta shohë këtë. E kështu nuk mundet. Kështu mund të shisni vetëm seli në LSDM dhe pronë të LSDM-së”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Ka disa ditë që pushteti dhe opozita replikojnë rreth shitjes së ish-kompanisë. Nga Qeveria, përmes një kumtese, sot hodhën poshtë si krejtësisht të pasakta dhe manipuluese pretendimet e VMRO-DPMNE-së se Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar ka hequr dorë nga shitja e aksioneve të SHA “Sllavija”.