Trajneri i Barcelonës, Xavi, i kishte thënë klubit para hiç më larg se një viti e gjysmë të mos e blinte Pierre-Emerick Aubameyangun nga Arsenali, sepse, sipas, tij sulmuesi i Gabonit nuk përshtatet me mënyrën e lojës së katalonasve.
Aubameyang iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë të hënën në mbrëmje, pasi e shkëputi marrëveshjen me Arsenalin para kohës, raporton Gazeta Express.
Sulmuesi i Gabonit i shënoi 92 gola në 163 paraqitje për Arsenalin, por ai nuk luajti për topçinjtë më nga dhjetori kur e humbi shiritin e kapitenit të skuadrës dhe u përjashtua nga trajneri Mikel Arteta për shkelje të rregullave disiplinore.
Aubameyangu tani do të luajë për Xavin në Camp Nou, por legjenda e Barcelonës kishte dyshime në të kaluarën nëse sulmuesi do të mundë të lulëzonte në klubin spanjoll.
Duke folur për kalimin e mundshëm të Aubameyangut në Barçë në maj 2020, shumë kohë para se ai të emërohej trajner i klubit, Xavi kishte thënë: “Mane dhe Aubameyang mund të të vrasin nëse iu lejon hapësirë të madhe. Por Barcelona ka nevojë për lojtarë të cilët dinë si të lëvizin në hapësirë të ngushtë”.
“Unë po mendoj për lojtarë të cilët mund t’i përshtaten Barcelonës dhe nuk është e lehtë ta gjesh ndonjë”, kishte nënvizuar ai.