Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin kanë nisur. E mes entuziazmit të banorëve të kryeqytetit kinez ka ndodhur incidenti i parë. Një gazetar që ishte duke raportuar drejtpërdrejt në televizion gjatë ceremonisë hapëse, u mor me forcë nga zyrtarët kinezë të sigurisë.
Pamjet nga televizioni publik holandez “NOS” tregojnë se disa persona e rrethuan atë dhe një prej tyre e tërhoqi me forcë, teksa po qëndronte jo larg impiantit kryesor në kryeqytetin kinez. Televizioni u detyrua që ta ndërpriste lidhjen me reporterin, ndërsa spikerja në studio u hutua nga e gjithë skena. Në një mesazh në Tëitter, televizioni holandez raportoi ngjarjen, ndërsa theksoi faktin se ky incident tregon realitetin e përditshëm të gazetarëve në Kinë.
Ndërsa në një reagim, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha se ky ishte një incident i izoluar dhe nuk do të prekë mediat e huaja, të cilat raportojnë për eventet në olimpiadë.
Si sportistët, ashtu edhe media janë të detyruar që të qëndrojnë në një zonë sigurie gjatë olimpiadës me qëllim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kjo zonë përfshin stadiumet, qendrën e medias si dhe vendin e strehimit.