Kosovë, zjarri në “Viva Fresh Store”, Policia dhe zjarrfikësit japin detajet

Ndërtesa e supermarketit “Viva Fresh Store”, në Ferizaj është përfshirë nga zjarri dhe tymi pak minuta pas mesnate, ndërsa pamjet kanë treguar se si objekti është përfshirë tërësisht nga flakët.

Marketing

Në vendngjarje kanë qenë zjarrfikësit dhe policia, ndërkaq tashmë zjarri është vënë nën kontroll.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha për Telegrafin se zjarri është vënë nën kontroll.

“Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk ka asnjë të lënduar”, tha Veseli.

Ndryshe, zjarri ka rrezikuar edhe objektet tjera përreth, ndërsa afër ka qenë edhe një pompë derivatesh.

Se sa i madh ishte zjarri, e tregojnë më së miri pamjet nga ajri.

Komandanti i zjarrfikësve në Ferizaj, Zymri Krasniqi ka thënë se ka pasur zjarrfikës që kanë shkuar nga shtëpia për t’iu ndihmuar.

Krasniqi ka thënë se përpos atyre nga Ferizaj janë mobilizuar edhe kolegë nga qytetet e tjera.

“…Ka qenë gjendja e jashtëzakonshme. Ka pasur zjarrfikës që kanë ardhur nga shtëpia për të na ndihmuar. Përpos zjarrfikësve nga Ferizaj janë mobilizuar edhe zjarrfikësit nga regjioni Shtime, Kaçaniku, Gjilani dhe Vitia. Deri më tani sa kemi informacion nuk ka persona të lënduar të cilët kanë mundur të ngecin brenda”.

“Në perimetër prej 20 metrash ka qenë edhe pompa e derivateve, pra ke qenë gjendja e jashtëzakonshme. Si po e shihni ne e kemi nën kontroll zjarrin”, është shprehur ai.