Ministria bullgare e Punëve të Jashtme thotë se rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, i cili tregoi se 3.504 persona janë deklaruar si bullgarë në vend, janë surprizë e madhe. Ky, sipas Sofjes zyrtare, është dallim drastik nga aplikimet për pasaporta bullgare.
Ata thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar që të krijohen kushte për deklarim të lirë të qytetarëve me vetëdije bullgare në Maqedoninë e Veriut.
“Në këtë drejtim, me befasi të madhe i pranojmë të dhënat e publikuara për numrin e qytetarëve që janë deklaruar si bullgarë në regjistrimin e popullsisë në vend. Vëmë re se ka një mospërputhje drastike mes këtyre dhe të dhënave për numrin prej mbi 100.000 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët personalisht kanë dorëzuar dokumente që vërtetojnë origjinën dhe vetëdijen bullgare për të marrë nënshtetësi bullgare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.
Nga atje thonë se për ta objekt analize serioze është fakti se në vend për 7.2 për qind (132.260) të qytetarëve të dhënat janë marrë nga bazat e të dhënave dhe nuk numërohen aktivisht në terren, përkatësisht janë të regjistruara pa u përcaktuar përkatësia etnike apo fetare.