Mbi 49 gradë celcius: Ky shtet i botës regjistron temperatura ‘përvëluese’

Një valë e të nxehtit ka përfshirë veriun e Indisë, me temperatura në deri 49.2 gradë Celsius në kryeqytetin Delhi.

Marketing

Banorët e Indisë po përballen me valën e pestë të të nxehtit prej muajit mars.

Zyrtarët u kanë kërkuar banorëve që të marrin masa paraprake, pasi temperaturat mund të rriten edhe më shumë.

Ata kanë paralajmëruar se i nxehti mund të shkaktojë probleme shëndetësore për ata që janë më të cenueshëm, përfshirë foshnjat, të moshuarit dhe njerëzit me probleme kronike.

Më herët gjatë këtij muaji, kryeministri indian, Narendra Modi, u ka kërkuar ministrave të bëjnë plane për të zvogëluar ndikimin e të nxehtit të madh, pasi temperaturat janë rritur më shpejt se zakonisht.

Ndonëse temperaturat e larta janë të zakonshme në Indi, sidomos në maj dhe qershor, vera ka nisur më herët këtë vit, pasi vala e parë e të nxehtit është raportuar në muajin mars.

Temperatura mesatare për një muaj ka qenë më e larta në 122 vjet.

Qendra për Shkencë dhe Ambient, një institut që merret me këto çështje, ka thënë se valët e të nxehtit këtë vit kanë prekur 15 rajone, përfshirë Himaçal Pradesh, i cili njihet për temperaturat e këndshme.