Përhapja e shpejtë e lisë së majmunëve përbën emergjencë globale shëndetësore, që është niveli më i lartë i alarmit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha të shtunën drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
I identifikuar fillimisht te majmunët, virusi transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të infektuar. Deri në këtë vit, sëmundja virale është përhapur rrallë jashtë Afrikës, ku është endemike.
Por, raportet për një numër rastesh në Mbretërinë e Bashkuar, në fillim të muajit maj, kanë sinjalizuar se shpërthimi është zhvendosur edhe në Evropë.
Që atëherë, numri i rasteve është rritur në më shumë se 16.000 – në 75 vende. Deri më tani janë raportuar pesë vdekje – të gjitha në Afrikë.
Sa është e rrezikshme lia e majmunëve?
Lia e majmunëve është një virus që zakonisht shkakton simptoma të lehta, përfshirë: ethe, dhimbje dhe puçrra në lëkurë të mbushura me qelb. Sipas OBSH-së, njerëzit kryesisht shërohen në një periudhë prej dy deri në katër javë.
Virusin mund ta përhapë çdokush, por shpërthimi aktual jashtë Afrikës është i përqendruar pothuajse vetëm te burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra.
Lia e majmunëve përhapet kryesisht nëpërmjet kontaktit intim – lëkurë më lëkurë – me dikë që ka skuqje aktive, si dhe nëpërmjet kontaktit me rroba të kontaminuara ose në shtrat.
Megjithatë, ajo nuk transmetohet aq lehtë sa virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë COVID-19.
“COVID përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe është shumë infektiv. Ky nuk duket se është rasti me linë e majmunëve”, thotë dr Martin Hirsch nga Spitali i Përgjithshëm në Masaçusets të SHBA-së.
Rreziku i lisë së majmunëve globalisht është i moderuar, me përjashtim të Evropës, ku OBSH-ja e ka vlerësuar atë si të lartë.
Përse është emergjencë?
Zyrtarët shëndetësorë nga disa vende i kanë kërkuar OBSH-së që ta shpallë linë e majmunëve emergjencë të shëndetit publik, me shqetësim ndërkombëtar, për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të rasteve dhe shqetësimeve se mund të bëhet endemike në më shumë vende.
Me shpalljen e emergjencës synohet të nxitet veprimi dhe bashkëpunimi global në gjithçka: nga testimi deri te prodhimi dhe shpërndarja e vaksinave dhe trajtimeve.
Shkalla e vdekshmërisë gjatë shpërthimeve të mëparshme të lisë së majmunëve në Afrikë – të llojit që po përhapet edhe aktualisht – ka qenë rreth 1%. Por, deri më tani, ky shpërthim duket të jetë më pak vdekjeprurës në vendet joendemike – shumë prej të cilave kanë infrastrukturë më të zhvilluar të kujdesit shëndetësor.
Shkencëtarët po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e ka shkaktuar valën fillestare të rasteve dhe nëse ka ndryshuar ndonjë gjë në lidhje me virusin. Ekspertët thonë se rritja e udhëtimeve globale, si dhe ndryshimet klimatike në përgjithësi kanë përshpejtuar shfaqjen dhe përhapjen e viruseve.
Sipas ekspertëve të sëmundjeve infektive, neglizhenca financiare i ka lënë klinikat e shëndetit seksual – të cilat janë në vijën e parë të frontit, sa i përket reagimit ndaj lisë së majmunëve – të papërgatitura për të frenuar përhapjen e mëtejme.
Masat mbrojtëse
Zyrtarët shëndetësorë thonë se njerëzit duhet të shmangin kontaktin e ngushtë personal me dikë që ka skuqje të veçantë në lëkurë ose që nuk ndihet mirë.
Njerëzit që dyshojnë se kanë linë e majmunëve, duhet të izolohen dhe të kërkojnë kujdes mjekësor.
Zyrtarët shëndetësorë ofrojnë gjithashtu vaksina kundër lisë së majmunëve për individët me rrezik të lartë dhe për ata që kanë qenë në kontakt të ngushtë me një person të infektuar.
Kompania daneze, Bavarian Nordic Ajo e ka miratimin e SHBA-së dhe të Evropës për parandalimin e lisë dhe të lisë së majmunëve.
Një vaksinë më e vjetër, e prodhuar aktualisht nga Emergent Biosolutions, quhet ACAM2000, por marrja e saj është kufizuar, për shkak të një paralajmërimi për efekte të rënda anësore.
Kompania Bavarian Nordic ka thënë se mund të prodhojë 30 milionë doza të vaksinës së saj – përfshirë edhe atë të lisë së majmunëve – çdo vit. Ajo ka angazhuar një prodhues edhe në SHBA, për të rritur kapacitetet e prodhimit të vaksinës së lisë së majmunëve.
Trajtimi
Simptomat e lisë së majmunëve shpesh zhduken vetvetiu brenda javësh. Pacientët mund të marrin lëngje shtesë dhe trajtim shtesë për infeksionet bakteriale dytësore.
Një agjent antiviral, i quajtur tecovirimat, ka miratimin e SHBA-së dhe të BE-së për linë, ndërsa miratimi evropian përfshin edhe linë e majmunëve./REL