MASH ndërpret bursat për studentë jashtë vendit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka shkurtuar afatin për një muaj për dhënien e bursave për studentët që arrijnë të regjistrohen në 100 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së Listës së Shangait. Gjithashtu, MASH-i nuk jep asnjë garanci që një masë e këtillë do të vazhdojë të aplikohet edhe viteve të ardhshme.

Marketing

Në aktvendimin e publikuar nga MASH, afati për aplikim është shkurtuar deri 11 gusht, derisa afati i fundit sipas konkursit fillestar, ishte 15 shtatori. Nga MASH për gazetën KOHA kanë deklaruar se për të gjithë llojet e konkurseve dhe shpërndarjen e bursave nga ana e tyre publikohen në ueb-faqen zyrtare të MASH-it. “Nëse vitin e ardhshëm do të vazhdojë vendimi për rishpalljen e konkursit për studime jashtë vendit, publiku do të njoftohet me kohë”, thonë nga MASH-i.

Ndërkohë, për shkurtimin e afatit për konkurrim për bursë për studime jashtë vendit kanë reaguar nga partia opozitare OBRM-PDUKM. Nga atje thonë se Qeveria po dëmton intelektualët e rinj të vendit, duke hequr bursat që mbështesin studentët, të cilët regjistrohen në universitetet më të mira të botës.

Në OBRM-PDUKM thonë se MASH-i po anulon bursat për qytetarët e Maqedonisë që arrijnë të regjistrohen në studimet universitare, magjistraturë apo doktoraturë në një nga 100 universitetet më të mira botërore sipas listës së Shangait, ndërsa edhe atyre që kanë dashur të aplikojnë, me shkurtimin e afatit po u merr të drejtën e financave nga shteti.

“Një masë që u miratua që në vitin 2010 nga OBRM-PDUKM dhe ishte një mundësi e shkëlqyer e të rinjve nga vendi ynë për të marrë njohuri dhe përvojë nga profesorët më të mirë në botë dhe për t’i transferuar ato në vendin tonë – tash e tutje, për fat të keq, gjeneratat e reja nuk do ta kenë këtë mundësi dhe nuk është shpjeguar arsyeja e anulimit të tij. A është për shkak të kolapsit të buxhetit të shtetit si pasojë e keqmenaxhimit të tij”, pyesin nga OBRM-PDUKM.

Ata kanë pyetur se a është dëshira e Kovaçevskit dhe ekipit të tij, të cilët “gjithsesi po e shkatërrojnë sistemin arsimor në të gjitha segmentet e tij, duke ndjekur logjikën se sa më i paarsimuar të jetë populli, aq më lehtë është të sundosh vendin”. Ata thanë se çka do të bëhet me studentët të cilët janë pranuar në një nga universitetet më të mira të botës, apo edhe ata që akoma nuk kanë aplikuar e që shpresat e tyre i kanë pasur te ndihma qeveritare.

“Ka para për makina të reja për zyrtarët, për restorante, biftekë, për lugë e pirunë të artë e çfarë jo, dhe nuk ka para për të mbështetur të rinjtë që arrijnë të depërtojnë në botën e dijes akademike dhe shkencës. Ndjenjat tuaja për popullin dhe qytetarin e thjeshtë kanë humbur prej kohësh”, kanë përfunduar nga OBRM-PDUKM. Ndryshe, një masë e tillë aplikohet tani e 10 vite në vendin tonë dhe kryesisht çdo vit, rreth 100 studentë nga Maqedonia kanë mundur të marrin bursë shtetërore për të studiuar në njërin nga 100 universitetet më të mira të botës.