Opozita në Shqipëri në protestë, kërkon largimin e Ramës

Protestuesit nga Tirana dhe rrethet e tjera u grumbulluan fillimisht para selive të Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL) të PD-së, për të marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Para Kryeministrisë është vendosur edhe një gomone, për të simbolizuar emigrimin e shqiptarëve, kryesisht drejt Britanisë së Madhe.

“Kjo është pranverë demokratike që nuk ndalon. Protesta dhe zgjedhje. E vetmja rrugë është largimi i Edi Ramës”, tha Meta.

Ndërsa kreu i PD-së Sali Berisha ka deklaruar (dje) se protesta do të zgjasë sa të dojë populli shqiptar.

“Ju ftoj në mosbindje civile deri në fitoren përfundimtare kundër Qeverisë Rama”, tha aktori dhe regjisori Edmond Budina, një ndër aktivistët kryesorë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Gjatë protestës së 12 nëntorit, pritet të mbahen rreth 20 fjalime. Të fundit që do t’iu drejtohen protestuesve janë krerët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Protestuesit mbajnë në duar flamuj të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe pankarta të ndryshme si: “Rama është brand…në korrupsion”.

Kjo është protesta e dytë kombëtare e thirrur nga kreu i PD-së, Sali Berisha, pas asaj që u zhvillua më 7 korrik.

Ambasada e SHBA në Tiranë u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të shmangin lëvizjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi ka paralajmëruar se mund të ketë akte dhune.

Në ndërtesën e Qeverisë janë marrë disa masa. Dyert e saj janë veshur me materiale të forta, ndërsa rreth ndërtesës janë përqendruar një numër i madh forcash të policisë, por edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që mund të ndërhyjnë nëse do të jetë e nevojshme. Nuk mungojnë edhe automjetet ujëhedhëse.

Forca të shtuara policore para ndërtesës së Qeverisë së Shqipërisë.

Në gatishmëri për të mbikëqyrur situatën janë rreth 1.000 forca policore.

Prej orës 15:00 është bllokuar qarkullimi i automjeteve në akset kryesore, si: bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II” e të tjera.

Në fletushkat që u janë shpërndarë qytetarëve janë listuar dhjetë arsyet pse duhet të jenë në shesh kundër Qeverisë Rama. Sipas PD-së, kushtet ekonomike janë ndër më të rëndat në rajon, emigracioni është i lartë, korrupsioni në nivele alarmante, ndërsa nismën rajonale, Ballkani i Hapur, e cilëson projekt serbo-rus dhe anti-shqiptar. Nga ana tjetër janë renditur dhjetë masat që PD-ja parashikon të ndërmarrë në një paketë anti-krizë.

Marketing