“Ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës”, Begaj dekoron ambasadorin amerikan Walker

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekoruar këtë të hënë ambasadorin amerikan William Walker me medaljen “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Marketing

Gjatë fjalës së tij Begaj tha se ambasadori Walker është mik i shqiptarëve dhe personi që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.

Ambasadori Walker, shef i Misionit Monitorues të OSBE-së në Kosovë, u bë dëshmitar i një prej masakrave më të rënda të kryera në Reçak, më 15 janar të vitit 1999, kur u vranë 45 qytetarë të pafajshëm të Reçakut nga trupat ushtarake dhe paraushtarake të regjimit të Millosheviçit.

Sipas Begajt falë veprimeve dhe angazhimeve të tij e gjithë bota u informua për krimet në Kosovë.

“Ambasadorin amerikan Walker, i cili është mik i shqiptarëve dhe mund të them me plot gojën, se është njeriu që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit tonë dhe të vetë NATO-s. Ambasadori William Walker është një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist, i cili me punën dhe kontributin e tij krijoi një lidhje të pazgjidhshme me kombin shqiptar dhe me te gjithë qytetarët e Kosovës.

Kanë kaluar njëzet e katër vjet,që nga dita kur ambasadori Walker, shef i Misionit Monitorues të OSBE-së në Kosovë, u bë dëshmitar i një prej masakrave më të rënda të kryera në Reçak, më 15 janar të vitit 1999.

Dyzet e pesë qytetarë të pafajshëm të Reçakut u masakruan mizorisht nga trupat ushtarake dhe paraushtarake të regjimit të Millosheviçit. Ambasadori Walker, i pari, ekspozoi në mbarë botën këtë akt mizor dhe e cilësoi masakrën para mediave si “një krim kundër njerëzimit”.

Falë veprimeve dhe angazhimeve të tij e gjithë bota u informua për krimet në Kosovë. E gjithë bota e qytetëruar u trondit! Vendet e qytetëruara dhe demokratike si edhe komuniteti ndërkombëtar reaguan me shpejtësi për të dënuar gjenocidin në zemër të Evropës dhe për t’i dhënë fund regjimit të Millosheviçit në Kosovë.

Sot populli i Kosovës prosperon në rrugën e demokracisë dhe lirisë por hijet e atyre kohërave të trishta vërtiten akoma në rajonin tonë, në epokën e një lufte tjetër të re e të përgjakshme në Evropë. Pikërisht për të mos harruar krimet, për të ruajtur paqen dhe për të lënë një botë në paqe për fëmijët tanë, vlerësojmë personalitete si Ambasadori Walker, të cilët më punën dhe përkushtimin e tyre janë bërë shembull që duhen ndjekur dhe kanë hyrë në histori si ruajtës dhe mbrojtës të paqes, jetës, lirisë dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës, të rajonit e të kombit tonë.

I nderuar Ambasador Walker Te jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për mbështetjen e vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të madh të shqiptarëve.

Ju do të botoni një libër për Reçakun. Jam i sigurt se ky libër do të jetë një kontribut i rëndësishëm dhe i shtuar për arsyet dhe parimet që bota demokratike, SHBA dhe NATO vendosën të ndërhyjnë dhe i dhanë fund gjenocidit serb në Kosovë.

Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, Ambasadorit William Walker kam nderin t’i jap në emër të shtetit shqiptar dhe në emër të të gjithë shqiptarëve një nga medaljet më të larta të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit”-tha Begaj.