SHBA e Rusi fajësojnë njëra-tjetrën pas incidentit me dronin

Rusia nuk e pranon se e ka prekur dronin amerikan mbi Detin e Zi që u rrëzua pasi u përplas me një avion luftarak rus. Ambasadori rus i thirrur në SHBA flet për “provokim” pas incidentit me dronin.

Marketing

Moska e vlerëson si “provokim” incidentin në hapësirën ajrore ndërkombëtare në Detin e Zi. Këtë e tha ambasadori rus në Uashington. Anatoli Antonov, pasi u thirr në Ministrinë e Jashtme amerikane. Rusia nuk e pranon se e ka prekur dronin amerikan mbi Detin e Zi. Në të njëjtën kohë Antonov, tha se bisedimet e zhvilluara ishin “konstruktive” dhe nuk është folur për “pasoja” të mundshme për Moskën. Pentagoni fajëson Rusinë se ka çuar në rrëzim një dron mbikqyrës amerikan të tipit MQ-9 “Reaper”.

Dy avionë luftarakë rusë të tipit Su-27 e sulmuan dronin e tipit MQ-9 Reaper që po fluturonte mbi ujëra ndërkombëtare në një mënyrë “të rrezikshme dhe joprofesionale”, tha Shtabi Rajonal i Evropës i Forcave Amerikane në Shtutgart (EUCOM). Sipas EUCOM-it njëri prej avionëve luftarakë kishte prekur helikën e dronit zbulues, i cili më pas u rrëzua.

Mungesë kompetence dhe profesionalizimi

Moska tha se droni amerikan kishte bërë një manovër dhe u rrëzua pasi qe përplasur me avionët rusë pranë Krimesë, por këmbënguli që avionët luftarakë rusë nuk kishin qëlluar me armë ose kishin goditur dronin. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se avionët luftarakë si pjesë e forcave të mbrojtjes ajrore kishin marrë si detyrë që të identifikonin “ndërhyrësin” mbi Detin e Zi.

EUCOM-i deklaroi se “ky incident tregon mungesë kompetence dhe është përveç kësaj i rrezikshëm dhe joprofesional”. Sipas Pentagonit incidenti ka të ngjarë të ketë shkaktuar dëme edhe tek aeroplanët rusë, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes tha se avionët luftarakë të saj ishin “kthyer të sigurt në aeroportin e tyre”.

SHBA reagon

Pas kësaj ngjarjeje SHBA thirri në Ministrinë e Punëve të Jashtme ambasadorin rus, tha Ned Price, zëdhënësi i kësaj ministrie. SHBA e quajtën ngjarjen si “shkelje të pacipë të ligjit ndërkombëtar”.