Llogaridhënia e transparenca si dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit brenda BDI-së janë pritjet e qytetarëve nga beteja e grupit të zjarrit. Kjo dëshmohet në anketën e realizuar në periudhën shkurt-mars nga kompania “Market Vision”. 15,3 për qind e qytetarëve kërkojnë “llogaridhënie, besim, të dëgjohen kërkesat e qytetarëve dhe të punohet në interes të qytetarëve”. 13 për qind e të anketuarve janë shprehur se kërkojnë “parandalim të krimit dhe korrupsionit, ndershmëri dhe jo interes personal”. E njëjta përqindje nga 10-13 për qind varion edhe për nevojën e vendeve të reja të punës, parandalimin e emigracionit dhe rritjen ekonomike dhe të standardit jetësorë.
Në pyetjen nëse grupi i zjarrit formon një subjekti i ri cili do të duhej të ishte qëllimi themelor politik i tyre, 45,3 për qind e qytetarëve janë shprehur se prioritet duhet t’i kushtohet luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
Anketa jep të dhëna edhe për meritat politike të BDI-së por edhe raportin e subjektit me trupin votues. 25,5 për qind e të anketuarve kanë vlerësuar se BDI është meritore për anëtarësim në NATO, ndërsa 23,4 për qind prej tyre mendojnë se BDI po humb kontaktin me trupin votues dhe anëtarësinë. 13,5 për qind mendojnë se hyrja e ASH-së në Qeveri është për të shpëtuar zëvendëskryeministrin Artan Grubi, ndërsa 17,6 për qind vlerësojnë se hyrja e ASH-së lehtëson rrugën drejtë integrimit në BE.
Referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, 25,4 për qind e të anketuarve do të votonin për BDI-në, 8,4 për qind për grupin e zjarrit nëse organizohen në parti të re, ndërsa Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët gëzojnë të njëjtën mbështetje me 7,7 për qind. Alternativa gëzon vetëm 1,3 për qind mbështetje sipas të anketuarve.
Sipas vlerësimeve të qytetarëve në bazë të njësive zgjedhore, për Ali Ahmetin mbizotëron mendimi pozitiv mbi 20 për qind në njësitë zgjedhore 1,2 dhe 3. Grubi në të gjitha njësitë zgjedhore gëzon mendim pozitiv nën 20 për qind, ndërsa përqindja më e madhe e mendimit negativ ndaj tij regjistrohet në njësinë zgjedhore numër 2, njësinë 5 dhe njësinë e 6. Përkundër Ahmetit dhe Grubi, për Mexhitin mendim më të madh negativ ka në njësinë e 5 zgjedhore, ndërsa në njësitë 1,2,3 dhe 6 qytetarët janë shprehur se kanë mendim pozitiv nga 29,8 deri në 38,7 për qind. Përqindja e fundit i referohet mendimit pozitiv për Mexhitin në njësinë zgjedhore numër 2.
Ditë më parë, Alsat raportoi se referuar anketës Izet Mexhiti rezulton personaliteti politik e që nuk është lider, për të cilin qytetarët kanë mendimin më të madh pozitiv, ndërkaq zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi gëzon mendimin më të madh negativ nga qytetarët, përkatësisht rreth 60 për qind. Mexhiti radhitet në grupin e liderëve politikë duke gëzuar 43,5 për qind mbështetje të përgjithshme, ndërsa para tij radhiten vetëm Ali Ahmeti me 48,9 për qind dhe Arben Taravari me 46 për qind. Përqindjet i referohen mendimeve të kategorizuara “kryesisht pozitiv” dhe “plotësisht pozitiv”.
Anketa është realizuar nga 17 shkurti deri më 5 mars në terren duke marrë për bazë anketimin e 1,065 qytetarëve shqiptarë të moshave 18 deri 80 vjeçare. Kompania që ka realizuar anketën, në bagazhin e tyre të projekteve nga sektori publik ka bashkëpunuar me Qeverinë, Ministrinë Arsimit, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Transportit, Agjencinë për Komunikime Elektronike, Doganat e Maqedonisë dhe institucionet të tjera të nivelit qendror. /Alsat.mk