Nënkryetari i Forumit Rinor të BDI-së Jetmir Asani pyet Artan Grubin: Sa të kushtoi ahengu në Çair dhe kush e pagoi?

Nënkryetari i Forumit Rinor të BDI-së dhe kryetar i FR të Çairit Jetmir Asani, ka akuzuar zv/kryeministrin Artan Grubi, se për të ushqyer egon e tij dhe për të dëshmuar fuqi para Ali Ahmetit, ka aktivizuar si kurrë më parë gjithë aparatin shtetërorë, për të mbushur një sallë të sportit në Çair, me yje të shtrenjta muzikore.

Marketing

Koncerti në Çair ishte përpjekje e dështuar për të demonstruar fuqi, legjitimitet, shkruan në rrjete sociale Asani.

‘Kur i tërë aparati shtetëror, nga shërbimet e fshehta deri te arka e shtetit vihen në shërbim të një subjekti, nuk është befasi që do të mblidhet turmë e madhe e njerëzve. Ata janë njerëz që kanë shkuar pa vullnet por me presion, të cilët i detyruan të vijnë edhe nga qytetet tjera për të treguar se i kujt është Çairi’ thotë Asani.

‘Dhe teksa uragani kaloi, ngelet e pa përgjigjur pyetja: në vitin e krizës më të madhe financiare, të inflacionit marramendës, të ngrirjes se çmimeve me dekret për shkak të shtrenjtimit më të madh në histori, sa kushtoi dhe me cilat para e pagoi koncertin/ahengun për kënaqësi personale Artan Grubi’, ka pyetur Grubin nënkryetari i Forumit Rinor të BDI-së në nivel republikan.