Universiteti i Tetovës dhe kompania Alpak – Eko nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, bashkë me Prorektorin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Shefik Shehu dhe drejtoreshën e Parkut Teknologjik, Mr. Sc. Artina Kamberi, e pritën në takim pune drejtorin e kompanisë Alpak – Eko SHPK Shkup, z. Fatmir Ejub dhe bashkëpunëtorin e tij, z. Besnik Ademi.

Marketing

Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i memorandumit për bashkëpunim ku palët kanë interesa të përbashkëta në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive shkencore – profesionale; përgatitjen e programeve të përbashkëta për aftësimin dhe avancimin shkencor – profesional të kuadrove inxhinierike – teknike; përgatitjen e projekteve të përbashkëta për edukim në fushën e menaxhimit me mbeturinat dhe aktivitete të tjera në fushën e mjedisit jetësor, financuar nga Alpak-Eko SHPK Shkup dhe implementuar nga stafi akademik dhe studentët e Universitetit të Tetovës.

Mes tjerash marrëveshja parasheh që palët të bëjnë organizimin dhe realizimin e konferencave profesionale shkencore, seminare, tryeza të rrumbullakëta, punëtori, shkolla verore e tjera. Po ashtu rëndësi do t’i kushtohet edhe bashkëpunimit në fushën e realizimit të programeve edukativo – arsimore dhe realizimit të punës praktike për ciklet studimore deridiplomike, postdiplomike dhe doktoraturë.