Studentët e UT-së realizuan vizitë studimore në Shtëpinë edukuese-përmirësuese

Një grup studentësh nga Fakulteti Pedagogjik dhe Fakulteti Filozofik qëndruan për vizitë studimore në Shtëpinë edukuese-përmirësuese Tetovë – Vollkovi, në të cilin ekzekutohet masa edukuese “Dërgim në shtëpi edukuese-përmirësuese për fëmijët e gjinisë mashkullore të cilët kanë rënë ndesh me ligjin”.

Marketing

Studentët e programeve studimore Pedagogji profesionale nga Fakulteti Pedagogjik dhe programi studimor Punë sociale dhe mbrojtje sociale nga Fakulteti Filozofik, gjatë vizitës në këtë shtëpi patën mundësi që për së afërmi të njihen me trajtimin, kushtet e institucionit dhe aktivitetet e ndryshme në të cilat marrin pjesë fëmijët dhe ekipi profesional, të cilat kanë për qëllim risocializimin, riedukimin dhe zhvillimin e drejtë të fëmijëve, siç janë: punëtoritë grupore dhe individuale, të cilat kanë natyrë psikologjike për përvetësim dhe zhvillim të shprehive pozitive, të veçorive vlerësuese; kurse për aftësim në profesione të caktuara, të cilat ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësi të ndryshme, dhe shumë alternativa të tjera, me të cilat në mënyrë kreative e plotësojnë kohën e lirë me aktivitete kulturore, argëtuese dhe sportive. Këto  angazhime i ndihmojnë fëmijët të përgatiten për tregun e punës jashtë institucionit dhe për integrim në shoqëri.

Studentët tanë, të shoqëruar nga Prof. Dr. Besa Havziu dhe Mr. Sc. Nazmije Shaqiri u pritën nga drejtori Daniel Antoski dhe ekipi i tij, në mesin e të cilëve psikologë, pedagogë, punëtorë socialë dhe të punësuarit e tjerë, të cilët i njoftuan studentët për aktivitetet e sipërpërmendura.

Me përfundimin e kësaj vizite, drejtuesit e entit Shtëpia edukuese-përmirësuese u dakorduan me studentët dhe profesorët e tyre që bashkëpunimin ta vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim që nga këto vizita të fitojnë njohuri praktike rreth rolit të pedagogut dhe punëtorit social në risocializimin e fëmijëve.