“MADENI” i Llojanit dhe mbetjet TOKSIKE të tij, vrasës të banorëve të asaj zone (FOTO)

Era e rëndë përreth shkollës fillore “Rilindja” në fshatin Llojan të komunës së Likovës lë të kuptohet për tonelata të mbetjeve toksike, duke përfshirë aty arsen të hedhur në një deponi në afërsi prej 100 metra ku mësojnë dhe luajnë për çdo ditë më shumë se 400 fëmijë, shkruan REUTERS transmeton GAZETA.MK

Marketing

“Unë u them gjithmonë nxënësve të mi që të mos i afrohen kësaj deponie”, ka thënë për Reuters Afrim Zimberi, mësues i gjeografisë në këtë shkollë, duke mbuluar hundën nga era e rëndë që kundërmonte prej deponisë që është vetëm 100 metra larg.

Miniera e kromit dhe antimonit në fshatin Llojan është mbyllur në vitin 1979 dhe mbetjet janë lënë të hapura duke ndotur kështu tokën dhe ujërat nëntokësore.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, arseni është një nga 10 kimikatet që përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin publik. Ekspozimi afatgjatë ndaj arsenit përmes ujit dhe ushqimit thuhet se shkakton kancer.

Sipas raportit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, të bërë në vitin 2007, një milion ton mbetje materiale me përqendrime toksike të arsenit, antimonit dhe substancave të tjera të rrezikshme ndodhen në deponinë e fshatit Llojan dhe në afërsi të tij. Prej asaj periudhe nuk ka të dhëna të reja.

Rreth 5,000 tonë gjenden vetëm pak metra nga linja hekurudhore ku trenat ndërkombëtarë shkojnë nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut dhe në pjesën tjetër të Evropës.

Maqedonia ka identifikuar 16 lokacione të mbetjeve të rrezikshme industriale në të gjithë vendin.

Sipas Lindita Dikës, nga Zyra e Qeverisë që merret me Ndotjen Industriale dhe Menaxhimin e Rrezikut, mbetjet e arsenit nuk janë hequr, sepse janë duke pritur që investitorët ta blejnë atë.

Ajo thotë se një kompani turke u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2022 pasi që nuk kishin interes ekonomik, por një tender i ri do të hapet së shpejti pasi të rinovohet kërkesa. Arseni përdoret si një agjent aliazh dhe gjithashtu në prodhimin e qelqit, pigmenteve, tekstileve, ngjitësve dhe pesticideve, thotë OBSH. Ndërkohë, qeveria planifikon të bllokojë zonën.

Nuk ka informacione të besueshme për efektet mbi shëndetin e njeriut, por një raport i vitit 2007 tha se përqendrimi i arsenit në tokë dhe ujë ishte deri në 50 herë më i lartë se standardet ndërkombëtare të lejuara.

“Qeveria duhet të paktën të izolojë menjëherë atë zonë dhe pastaj të marrë masa siç janë udhëzimet që banorët e asaj zone të mos përdorin ujin e bunarëve për pije dhe ujitje” thotë Trajçe Stafilov, një profesor në Fakultetin e Shkencave dhe Matematikës në Shkup.

Pensionisti Fatmir Selmani shpreson që filtrat t’i sigurojnë atij dhe familjes së tij pak mbrojtje teksa nxjerr ujë nga një bunar afër shtëpisë së tij. “Uji ka më shumë shije kur kalon nëpër këtë filtër sesa pa të”, thotë Selmani.

Në fshatin i cili ndodhet vetëm gjysmë kilometri nga kufiri me Serbinë, shumica e njerëzve e përdorin ujin e puseve për pije, për vaditje ose për shuarjen e etjes të kafshëve shtëpiake që mbajnë.

Burimi: REUTERS