Tornado në SHBA, rritet numri i viktimave

Foto: AP

Të paktën 26 persona kanë mbetur të vdekur shkaku i një serie tornadosh që goditi qytete të shumta në pjesët jugore dhe perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marketing

Shumë shtëpi mbetën të shkatërruara dhe mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike, pasi që tornadot shkaktuan dëme të shumta në disa shtete.

Sipas mediumit amerikan Washington Post, më shumë se 60 tornado janë regjistruar në këto vende.

Në shumë shtete – si Arkansas, Tenësi, Illinoi, Indiana, Alabama dhe Misisipi – është raportuar edhe për viktima në njerëz.

Njëra nga tornadot e shumtë e goditi edhe qytetin Wynne të Arkansasit, rreth 170 kilometra larg kryeqytetit Little Rock.

Një banore e këtij qyteti, Ashley Macmillan, tha se ajo, burri i saj dhe fëmijët e tyre u grumbulluan me qentë e tyre në një banjë të vogël gjatë stuhisë, “duke u lutur dhe duke i thënë lamtumirë njëri-tjetrit, sepse menduam se do të vdisnim”.

Shtëpia e tyre u dëmtua shumë nga një pemë e madhe që ra mbi shtëpi, por ata nuk u lënduan.

“Ne mund ta ndjenim shtëpinë duke u dridhur, dëgjonim zhurma të forta, pjatat teksa thyheshin. Dhe pastaj u qetësua”, tha Macmillan për agjencinë e lajmeve AP.

Guvernatorja e Arkansasit, Sarah Huckabee Sanders, shpalli një gjendje të jashtëzakonshme të premten, duke aktivizuar gardën kombëtare për të ndihmuar në përpjekjet për rikuperim.

Ajo tha se kishte folur me presidentin Joe Biden për situatën dhe se ai i kishte premtuar ndihmë federale.

Përderisa stuhia vazhdon të shkojë drejt lindjes, qindra mijëra njerëz janë pa energji elektrike në disa shtete.

Virxhinia, Ohio dhe Pensilvania janë më të prekurat, sipas faqes së internetit të SHBA-së, PowerOutage.

Stuhia e së premtes shkaktoi gjithashtu shembjen e një çatie teatri në një koncert të mbushur në Belvidere të Illinoi, duke lënë kështu një person të vdekur dhe 28 të plagosur.

Tornadot vdekjeprurëse vijnë një javë pasi një tjetër tornado vrau 26 njerëz në Misisipi.

Presidenti Biden vizitoi shtetin të premten për të shprehur ngushëllimet e tij.