ITSHKSH thellon bashkëpunimin institucional me Kosovën

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional e
ndërshtetëror, sot në Prishtinë u realizua një takim në mes të drejtorit
të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve,
Prof. dr.SkenderAsani dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të
Kosovës Hajrulla Çeku. Ky takim vjen pas një sërë aktivitetesh
bashkëpunuese me Republikën Kosovës, si në rrafshin e organizimit të
konferencave e eventeve të përbashkëta, ashtu edhe në drejtim të gjetjes
së pikave të përbashkëta për plane të reja në të ardhmen.
Drejtori Asani e njoftoi ministrin Çeku me disa veprimtari shkencore e
kulturore që kanë pasur në fokus ngritjen kapaciteteve institucionale
për një frymë kreative bashkëpunuese midis ITSHKSH dhe institucioneve të
ngjashme të Kosovës. Në këtë kontekst drejtori Asani propozoi që të
përpilohet një kalendar i përbashkët bashkëpunimi kulturor e shkencor në
mes të dy vendeve tona, ku ITSHKSH do të luante një rol mjaft domethënës
në ofrimin e përvojës dhe përgatitjeve që ka, siç është rasti me Qendrën
memoriale të eksodit në Bllacë, e cila në të ardhmen do të mund të jetë
një aset i përbashkët i përkujtimit të të gjitha gjenocideve që janë
kryer mbi shqiptarët.

Marketing

Në fokusin e këtij takimi ishin edhe shumë aktivitete e projekte të
ndryshme të ITSHKSH, me ç’rast ministri Çeku u njoftua me punën e
Departamentit për Edukimin dhe Studimin e Holokaustit dhe Departamentit
të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.
Duke folur për zgjerimin e Institutit në një hapësirë më të gjerë
etno-kulturore në Maqedoninë e Veriut, drejtori Asani vuri në dukje
institucionalizimin e gjashtë qendrave rajonale të trashëgimisë
kulturore, të cilat do të kenë specifikat e veprimtarisë së tyre, pasi
që lidhen me rajone të pasura me resurse etno-pskologjike nga bota
shqiptare,që në të kaluarën kanë qenë të mbuluara nga pluhuri i
harresës.

Ministri Hajrulla Çeku shprehu konsideratat dhe vlerësimet e tij lidhur
me punën gjithëpërfshirëse të Institutit, si dhe gatishmërinë për ta
thelluar bashkëpunimin kulturor e shkencor ndërinstitucional.
Për ta njoftuar më detajisht me një pjesë të veprimtarisë botuese të
Institutit, drejtori Asani i dhuroi ministrit Çeku disa prej titujve të
botuar kohëve të fundit.