Vetura me targa të Shkupit dyshohet se tejkaloi kolonën dhe shkaktoi aksidentin, Angellov: Kërkimet për shtetasit kosovarë po zhvillohen në kushte të vështira

Vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur në lumin Lepenc, ka informuar Stojançe Angellov, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK).

Marketing

Angellov ka thënë se kërkimet po zhvillohen në kushte jashtëzakonisht të vështira.

“Lumi është i thellë dhe shumë i shpejtë që paraqet rrezik për zhytësit”, ka thënë ai.

Bëhet fjalë për persona të cilët me automjetin me targa të Kosovës gjatë aksidentit të djeshëm kanë rënë në lumin Lepenc në rrugën Shkup – VK Bllacë. Në automjetin, përveç shoferit ka pasur edhe tre udhëtarë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është dërguar në SPQ “8 Shtatori”, ndërsa tre personat e tjerë janë ende në kërkim.

Sipas informacioneve fillestare nga Prokuroria Themelore Publike, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura e tipit “folksvagen turan” me targa të Maqedonisë së Veriut ka tejkaluar një kolonë veturash.

“Në momentin kur ka arritur paralelisht te vetura me targa të Kosovës “BMW” e cila ka lëvizur në të njëjtën kolonë, dy veturat janë afruar dhe janë përplasur njëra me tjetrën, pas së cilës vetura me targa të Kosovës me katër udhëtarë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në lumin Lepenc”, thuhet në kumtesën e PP.
Prej atje theksojnë se shkaqet e përplasjes janë ende duke u konstatuar.