Protesta për të drejtat homoseksuale, arrestohen 115 persona të grupit LGBT në Stamboll

Policia turke ka arrestuar të paktën 115 aktivistë LGBT, protestues e gazetarë që kërkonin të marshonin duke promovuar të drejtat homoseksuale në Stamboll, në eventin që ishte ndaluar nga autoritetet.

Marketing

Protestues, aktivistë dhe gazetarë po marshonin në Paradën e 21-të të Krenarisë të Stambollit, e cila u ndalua si shumë ngjarje të tjera të muajit të LGBT në të gjithë vendin.

“Pas zgjedhjeve, ne pamë se ishim objektivi i parë në fjalimin e fitores së Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ne nuk e pranojmë këtë politikë urrejtjeje dhe mohimi. Por ja ku jemi sot. Ju nuk mund të merreni me ne”, shkruante në një deklaratë të përbashkët për shtyp të grupeve LGBT.

Anëtarët dhe mbështetësit e komunitetit LGBT kanë marshuar me pankarta dhe parulla nëpër duar.

Pas fitores së tij zgjedhore në maj, presidenti Erdogan sulmoi grupet LGBT dhe akuzoi opozitën se ishte pro-LGBT, duke premtuar një kushtetutë të re që do të mbështesë “vlerat familjare”.

Këtë vit Parada e Krenarisë së Stambollit, e organizuar në lagjen Sisli të qytetit, kishte për qëllim të arrinte në sheshin ikonik Taksim të qytetit.

Megjithatë, pasi ngjarja u ndalua nga Guvernatori i Stambollit, policia bllokoi rrugët dhe nuk i lejoi ata të marshonin.

Si rezultat i ndërhyrjes së policisë janë ndaluar dhe dërguar në Polici 115 persona.

Policia gjithashtu pengoi gazetarët të mbulonin paradën duke i rrethuar pranë sheshit të paradës.

Por grupet LGBT njoftuan se aktivitetet e muajit të Krenarisë LGBT do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji – pavarësisht ndalimeve, kërcënimeve dhe presioneve nga zyrtarët e shtetit dhe të sigurisë./