Likovë, arrihet marrëveshje mes EVN-së dhe sllupçanasve

Pas tensioneve disaditore mes banorëve të fshatit Sllupçan dhe ekipeve të EVN-së, njoftohet se dje pasdite EVN-ja dhe banorët e Sllupçanit kanë arritur marrëveshje. Ekipet e Elektrodistribucionit do të fillojnë me realizimin e projektit për rikonstruimin e rrjetit në Sllupçan, kumtuan nga EVN-ja.

Marketing

“Është arritur marrëveshje me banorët e Sllupçanit, ndërsa garancitë janë dhënë nga pushteti lokal dhe nga të gjitha partitë politike. Javën e ardhshme, në organizim të ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe kryetarit të Likovës, Erkan Arifi, do të mbahet takim në komunën e Likovës, në të cilin do të dakordohen të gjitha detajet për organizimin dhe realizimin e projektit dhe me punë në terren do të fillojë nga 9 gushti i këtij viti.”, informojnë nga EVN-ja.

“Kërkuam që të lëshohet rryma në ata dy fshatra, sepse është e drejtë elementare që garantohet me ligj dhe Kushtetutë, ku nuk guxon të ndërpritet furnizimi me energji elektrike, pastaj masat tjera juridike nëse ndokush nuk paguan faturat, ka masa të tjera ligjore të cilat duhet t’i merr EVN-ja ose organet tjera kompetente. Por, realisht të ndërpresësh rrymën në fshatin Orizare, ku të gjitha faturat janë të paguara e orëmatësit janë jashtë shtëpive e mos të ketë kurrfarë arsyetimi se për çka e ndërpresin rrymën nuk është e drejtë dhe nuk guxojmë t’i lëmë pa energji elektrike, kështu që u angazhuam në maksimum. Besoj se në bazë të bisedimeve mes palëve do të gjendet zgjidhje e përshtatshme për të gjitha palët, mua personalisht më intereson që rryma mos të ndërpritet.”, – theksoi kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Situatën rreth mospajtimeve të sllupçanasve me EVN-në e ka komentuar edhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, i cili ka theksuar se jo të gjithë banorët e fshatit Sllupçan apo fshatrave përreth kanë organizuar trazira kundër EVN-së dhe se atje ka shumë njerëz familjarë, të cilët dëshirojnë të paguajnë energjinë.

“Unë nuk do të gjeneralizoja se të gjithë qytetarët e Sllupçanit apo fshatrave të tjera kanë organizuar trazira. Bëhet fjalë gjithmonë për individ për të cilët duhet të identifikohet përgjegjësi për pengimin e kryerjes së punimeve cilësdo qoftë kompani që kryen shërbime publike. Këtu bëhet fjalë për EVN-në. Tërë Sllupçani ka numër të madh njerëz familjarë. Unë tani do t’ju them, kur të shkoni në tregun e gjelbër ose në Bit Pazar apo në tregun e Kumanovës, ju nuk do të gjeni prodhim të kultivuar në Aerodrom, Qendër apo i prodhuar në Karposhin tim. Prodhimet që shiten këtu, kultivohen nga komuna të tilla rurale apo fshatra që ndodhen në ato komuna. Kështu që njerëzit familjarë e paguajnë energjinë e tyre dhe dëshirojnë të paguajnë, por gjithmonë ekzistojnë individë të cilët dëshirojnë ta keqpërdorin më shumë njerëz për të realizuar qëllimet e tyre. Këtë MPB-ja nuk do ta lejojë, Qeveria nuk do ta lejojë, si dhe pushteti lokal dje dëshmoi se nuk do ta lejojë gjithashtu.”, – u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Të përkujtojmë se deri te eskalimi i tensioneve erdhi pasi që ekipet e EVN-së deshën të fillojnë me vendosjen e orëmatësve në Sllupçan. Kjo irritoi banorët vendor, të cilët u ngritën në protesta dhe nuk lejonin një aktivitet të këtillë të EVN-së. Pas kësaj marrëveshjeje pritet që gjërat të qetësohen dhe gjithçka të vazhdojë konform marrëveshjes së arritur. (TVM2)