I nxehti ekstrem, në Turqi regjistrohet temperatura mbi 49 gradë

Turqia ka raportuar një temperaturë rekord prej 49.5 gradë Celsius, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se një prirje e valëve të të nxehtit në pellgun e Mesdheut do të qëndrojë deri në vitet 2040.

Marketing

Temperatura rekord u regjistrua të martën në provincën qendrore të Anadollit, Eskisehir, shkroi ministri i Mjedisit Mehmet Ozhaseki në platformën e mediave sociale X.

Rekordi i mëparshëm ishte 49.1 gradë në vitin 2021, shtoi ai.

Shërbimi kombëtar i motit i Turqisë paralajmëroi të mërkurën se vala e të nxehtit do të vazhdojë të tejkalojë temperaturat normale sezonale deri në 11 gradë.

Arsyeja kryesore pas rekordeve të nxehtësisë është ndryshimi i klimës, sipas Baris Onol, një profesor meteorologjie në Universitetin Teknik të Stambollit.

Edhe pse El Nino sjell edhe rekorde të temperaturës, valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta dhe zgjasin më shumë, tha profesor Onol për DPA.

“Turqia do të jetë shumë më e ekspozuar ndaj temperaturave të larta brenda 30 deri në 40 viteve të ardhshme si pjesa tjetër e rajonit të Mesdheut”, tha ai.

Sezoni i pikut të turizmit në rajonin e Mesdheut do të zhvendoset në shtator dhe tetor nga viti 2040, parashikoi profesor Onol.

Po kështu, menaxhimi i ujit do të jetë kyç për rajonin, tha ai, duke parashikuar thatësirën për muajt e verës në vitet në vijim.