EULEX: Të shqetësuar për dorëheqjen e 3 policëve serbë nga policia e Kosovës

Shtetet e Bashkuara dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kanë shprehur shqetësim, pasi thanë se tre pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje.

Marketing

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, përmes një postimi në Facebook thotë se këto zhvillime shqetësuese po i ndjekin nga afër dhe se përbërja e policisë duhet të jetë përfaqësuese e komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Giovanni tha se anëtarët e Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës të orientuar nga komuniteti.

Ndër të tjera ai shtoi se ky mision është i përkushtuar për t’i mbështetur përpjekjet e Policisë së Kosovës që synojnë zhvillimin e punës policore efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në kuadër të fushëveprimit më të gjerë të sundimit të ligjit.

“Duke i parë me shqetësim dorëheqjet e fundit të 3 pjesëtarëve serbë të Kosovës të saporekrutuar në Policinë e Kosovës. EULEX-i po i përcjell nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e policisë duhet ta pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës ata i shërbejnë dhe e mbrojnë. Pjesëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes policimit të orientuar nga komuniteti. Misioni është i përkushtuar t’i mbështesë përpjekjet e Policisë së Kosovës që synojnë zhvillimin e punës policore efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në kuadër të fushëveprimit më të gjerë të sundimit të ligjit”, shkruhet në reagim.