Vjosa Osmani i sfidon të gjithë: Kam identitetin tim, smerr askush vendime për mua as Isa Mustafa as Albin Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka konsideruar akuzat mbi identitetin e saj politik si seksiste.

Marketing

E ftuar në “Top Story”, Osmani theksoi se askush nuk ka marrë vendime për të, as Isa Mustafa kur ishte pjesë e LDK-së dhe as Albin Kurti.

“Mua më vjen mirë që kemi koordinim si Kryeministër dhe Presidente në këtë rast, sepse kjo është në të mirë të Kosovës. Kjo nuk është nënshtrim as i Presidentes në raport me Kryeministrin as i Kryeministrit në raport me Presidenten”– tha Osmani duke shtuar se diçka e tillë nuk mund të nodhë.

Osmani rrëfeu se modeli i saj politik është ish-Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Ndoshta edhe politikanë të tjerë në hapësirën mbarë shqiptare mund ta marrin si model për mënyrën se si arriti, në kohën kur Kosova nuk ishte shtet, kur ishim të okupuar dhe askush nuk e dinte që ekzistonim, të ndërtojë aq shumë miqësi dhe aleanca që në fund na shpëtuan jetën”- tha Osmani.

Pjesë nga biseda:

Duma: Mendon se të ka marrë Albin Kurti nga identiteti, apo e ka lënë indentitetin e Vjosa Osmanit të jetë i njëjti me të njëjtin rrezatim që nga ai çasti kur erdhi nga LDK-ja? Dmth të ka ngacmuar pak bashkimi me LVV për të krijuar një farë mjegulle në identikitin tënd politik?

Osmani: Unë mendoj se arsyeja e vetme pse hapet ky debat herë pas here, cili është identiteti i Presidentes dhe të tjera, është seksizmi i tepruar në çdo vend të botës për fat të keq, dhe sidomos në hapësirat shqiptare, ndaj çdo politikane grua. Kur isha në LDK më thonin që kjo nuk merr vendime vetë, i merr Isa Mustafa për të. Kur më përjashtuan nga LDK, sepse nuk dola vetë, dikush tjetër nga burrat merr vendime për të. Tani që jam Presidente dhe njeriu më i votuar në politikën kosovare, në historinë e shtetit tonë, thonë kjo nuk merr vendime vetë i merr Albin Kurti për të.

Nga koha kur Albin Kurti dhe LVV nuk ishin fare në parlament, por ishin thjeshtë një lëvizje jashtë Kosovës, qoftë qëndrimet e mija për vettingun, qoftë për dialogun me Serbinë, apo raportin ekzistencial me Shtetet e Bashkuara, unë i sfidoja të gjithë.

Le ta tregojnë se cili nga qëndrimet e mija që kam mbajtur para se të hynte Albin Kurti në Parlament kanë ndryshuar. Unë i mbroj qëndrimet e njëjta me Kurtin, por për faktin se jam grua, askush nuk thotë që Kurti ka qëndrime të njëjta si Vjosa Osmani, por e kundërta.

Mua më vjen mirë që kemi koordinim si Kryeministër dhe Presidente në këtë rast, sepse kjo është në të mirë të Kosovës. Kjo nuk është nënshtrim as i Presidentes në raport me Kryeministrin as i Kryeministrit në raport me Presidenten. Ajo as nuk mund të ndodhë, dhe të gjithë që kanë punuar me mua në politikë në të shkuarën, në veçanti burrat, e dinë që asesi nuk mund të ndodhë vrasja e identitetit apo qëndrimeve politike që unë kam dhe kam pasur gjithmon.

Unë për ato qëndrime punoj edhe sot. Për mua si model politik vijon dhe mbetet Presidenti Rugova. Si karaktere ndoshta jemi të ndryshme, por si model politik, si qasje politike në ndërtimin dhe ruajtjen e aleancave që i shoh si të domosdoshme për suksesin e Kosovës është po i njëjti. Ndoshta edhe politikanë të tjerë në hapësirën mbarë shqiptare mund ta marrin si model për mënyrën se si arriti, në kohën kur Kosova nuk ishte shtet, kur ishim të okupuar dhe askush nuk e dinte që ekzistonim, të ndërtojë aq shumë miqësi dhe aleanca që në fund na shpëtuan jetën.