16 nxënësit shqiptarë të Velesit mbeten akoma jashtë procesit mësimor

16 nxënësit shqiptarë të Velesit vazhdojnë të mbeten jashtë procesit mësimor pasi akoma nuk janë pranuar në gjimnazin e Velesit, në paralelen e dytë më mësim në gjuhën shqipe, shkruan Alsat.

Marketing

Këtë e konfirmuan prindërit e fëmijëve, të cilët, sikurse edhe një ditë më parë, mbeten në qëndrimin se fëmijët e tyre duhet të pranohen në këtë gjimnaz, siç edhe u premtua nga Ministria e Arsimit.

“Pse mos me i pranuar, ky është diskriminim, nuk duan dy paralele shqipe të bëhen këtu, nuk është se pikët nuk i mbushin. Ministria e Arsimit duhet të merr masa, çka mund të bëjmë vetëm ne prindërit, duhet partitë shqiptare”, tha një prind.

Ndërsa fëmijët qëndrojnë në oborrin e shkollës, drejtori i gjimnazit “Koço Racin”, Ilia Popov nuk i përgjigjet thirrjeve telefonike të Alsat për të sqaruar se si do të veprohet me 16 nxënësit e mbetur. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri përsëriti së nxënësit me mbi 50 pikë patjetër të pranohen dhe paralelja e dytë shqipe do të funksionoj. Në të kundërtën, Shaqiri nuk përjashton mundësinë e një kontrolli në këtë shkollë nëse paralelet maqedonase janë formuar me numër të duhur të nxënësve.

“Nëqoftëse ndodhë që nuk bëhet ndarja në bazë të konkursit atëherë do të bëj analizën edhe të fëmijëve të cilët janë të regjistruar në paralelet e gjuhës maqedonase dhe aty do të kenë shkresë të respektojnë dispozitën ligjore e cila është në ligjin e arsimit të mesëm që numri minimal duhet të jetë 20 dhe organizimi I klasës do të bëhet në bazë të analizave të cilat I ka ministria. Nuk dua të paralajmëroj që nga katër do të bëhen tre por ndoshta edhe bëhet. Nuk mund të shihet diku një këndvështrim tjetër dhe në gjuhën shqipe një këndvëhstrim tjetër”, u shpreh Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Nga Inspektorati i Arsimit thanë se tashmë po presin që udhëheqësia e gjimnazit “Koço Racin” të parashtroj kërkesën e re në Inspektorat që nxënësit shqiptar të mund të pranohen edhe me pikë më të ulëta se 60.

Nxënësit shqiptarë të gjimnazit në Veles prej ditësh kanë protestuar dhe nuk kanë nisur vitin shkollor për shkak të mos-hapjes së paraleles së dytë më mësim në gjuhën shqipe për nxënësit e vitit të parë./ Alsat.mk