Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski, pas takimit të tij me homologët e rajonit, në kuadër të samitit Brdo-Brijuni në Shkup, mbajti konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Musar dhe atë të Kroacisë, Zoran Millanoviq.
“Ne shpresojmë që sa më shpejtë kjo të ndryshojë, sepse nëse insistoni në Ballkanin Perëndimor, që kontestet bilaterale të pastra të zgjidhen, posaçërisht nëse ata bazohen në histori dhe emocione, atëherë asnjë nga Ballkani Perëndimor nuk do hyjë asnjëherë në Bashkimin Europian”, tha Pendarovski.
Ndërsa presidenti kroat Zoran Millanoviq, foli për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se është e rëndësishme që ata të mos ndërpresin kanalin e komunikimit.
“Ka çështje të hapura, posaçërisht mes Kosovës dhe Serbisë, që nuk njihen mes vete, këto janë procese që zhvillohen në mënyrë paralele dhe në të njëjtën kohë dhe do ta ritheksoj edhe njëherë, mendoj se bisedimet kanë vlerë dhe se është më së keqi kur ndërpriten linjat telefonike, ajo është vdekje, vdekje për dialogun, për komunikimin për mirëkuptimin e ndërsjellë por edhe për keqkuptimin, kur ndodh diçka e tillë”, tha Millanoviq.