Bytyqi: Nuk do të lejojmë që praktikat e padrejta tregtare të shkaktojnë dëm për konsumatorët

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, në ambientet e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, pati takim pune me kryetarin e këtij komisioni, Vladimir Naumovski.

Marketing

Në takim u bisedua për lëvizjet e çmimeve në rrjetin e shitjes me pakicë të produkteve ushqimore dhe për ekzistimin e mundësive për praninë e praktikave tregtare që përveç se prishin ekonominë e tregut të lirë dhe konkurrencën, sjellin dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Qeveria nuk do të jetë dëshmitare e heshtur e praktikave të padrejta apo joetike në tregti që shkojnë drejtpërdrejt në dëm të buxhetit familjar të qytetarëve.

“Ka rrethana reale që tregojnë për fiksim artificial të çmimeve në nivele të larta si rezultat i pazareve të koordinuara mes tregtarëve për çmimet e produkteve të caktuara, duke kontrolluar dhe kufizuar formimin e tyre të tregut të lirë, me synimin për të rritur fitimet e tyre. Kjo praktikë shkon drejtpërdrejt në dëm të qytetarëve dhe prodhuesve dhe ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Në këtë takim konstatim i përbashkët ishte se është e nevojshme të fillohet me procedurat nga institucionet kompetente, përfshirë edhe Komisionin, dhe në përputhje me kompetencat ligjore, të hetohet nëse ka shkelje dhe keqpërdorime të caktuara ligjore që çojnë në rritje të padrejtë të çmimeve përfundimtare për konsumatorët.